Nga Mustafa Nano
Pashë ndeshjen e kombëtares sonë, dhe më la shenjë Armando Broja. Sigurisht, luajtëm kundër një kundërshtari fare të kollajtë, por Broja, që unë e kam zbuluar rishtazi (në ndeshjet kundër Hungarisë e San Marinos), m’u duk lojtar i një brumi të veçantë. I zhdërvjelltë e elegant (gjë e rrallë për një trupmadh), i shpejtë, i fuqishëm, inteligjent, i sigurt në kontrollin e topit, e aspak egoist. Nuk e di nëse e vutë re që dha më shumë se një assist në rrethanat që ishte para portës, e që fare mirë mund të bënte siç bëjnë zakonisht një numër i madh sulmuesish, të kërkonte shkëlqimin individual, golin për vete. Dhe kjo ishte gjëja që më pëlqeu më shumë. Është një tipar që e kanë lojtarët e mëdhenj. Lojtarët e zakonshëm, me të dalë para portës, nuk e kërkojnë shokun, kapen nga dalldia për të shënuar vetë e shikimi u thëthitet veç prej drejtkëndëshit të portës, ndërsa Broja bëri të kundërtën.
Në fakt, në ndeshjen me Hungarinë nuk më pëlqeu në momentin e golit që ai vetë e shënoi. Atij i doli për mbarë iniciativa për të gjuajtur nga një distancë jo e afërt e nga një pozicion i prirët, por nëse nuk do shënonte, të gjithë do t’i thoshim me të drejtë se duhej t’ia kish pasuar shokut të tij në të majtë të sulmit. Dhe do ta qortonim. Por në ndeshjen e sotme u soll ndryshe. Nuk bëri asnjë gabim. Bëri gjithnjë gjënë e duhur. Më erdhi keq që komentatori shqiptar nuk i nënvizoi këto gjëra gjatë transmetimit të ndeshjes.
Unë “vdiqa” për të parë një yll nga Shqipëria, dhe më duket se Armando Broja ka potencialin për t’u bërë lojtari që kemi pritur të gjithë prej dekadash, për t’u bërë lojtari që është në gjendje të bëjë diferencën, për t’u bërë Lewandovski shqiptar, sidonqë mua, si tipologji lojtari, ai më ngjan më shumë me Ibrahimoviçin. Lewandovski (duke lënë mënjanë forcën, karizmën, lehtësinë me të cilën shënon golat, e fuqinë për t’iu imponuar në fushë çdo kundërshtari) di të përdorë kokën, por Broja është teknik, e di ta ledhatojë topin mirë.
Apo është thjesht një ‘wishful thinking’ i imi? Jam unë që jam përndezur kotmëkot duke parë një ndeshje të Shqipërisë kundër një kundërshtari të përunjur e të rehatshëm? Bah! Nuk do doja të ishte kështu. Forca Broja! Mos i zhgënje njerëzit që mendojnë si unë!