Tirana ka qenë si një makineri e pandalshme këtë sezon, ku ka shtypur me lehtësi çdo kundërshtar që i ka dalë para. Shkëputja me rivalët ka qenë e madhe, aq sa të gjithë e shpallën fituese të “Abissnet Superiore“ ende pa nisur faza e katërt e kampionatit. Titulli dukej sikur i përkiste Tiranës dhe të gjithë prisnin vetëm javën se kur do të vinte edhe drita jeshile nga matematika për të festuar zyrtarisht.
Por festa po zvarritet nga java në javë, me Kastriotin dhe Laçin që kanë shtyrë festën e bardhebluve. Megjithatë zvarritja po shkon drejt fundit dhe kryeqytetasit po i afrohen momentit të shumëpritur. Tema e titullit mund të mbyllet që pasditen e nesërme, kur Tirana ka rastin që të marrë stafetën nga kampionët në fuqi të “Abissnet Superiores“, Teuta.
Një fitore në këtë sfidë përkthehet i shpall zyrtarisht bardheblutë kampionë të Shqipërisë. Në të kundërt do të duhet të presin më gjatë. Pas Teutës, kalendari i rezervon Partizanin dhe këtu motivimi do të ishte i dyfishtë. Derbi i kryeqytetit në këtë rast do kishte shijen e titullit kampion, çka do ishte një kënaqësi e dyfishtë për të gjithë tifozerinë bardheblu, të cilët nuk mund të kërkojnë dhuratë më të bukur nga klubi i tyre i zemrës./Sport Ekspres/