Ndërprerja e sezonit erdhi në momentin kur Tirana po kalonte një formë të jashtëzakonshme, teksa vetëm Koronavirusi mund të bënte atë që nuk e arriti dot asnjë ekip tjetër në Superiore që nga koha kur Egbo mori drejtimin. Një titullar i kryeqytetasve gjatë gjithë kampionatit ka qenë edhe mbrojtësi Albi Doka, i cili ka dhënë jo pak për fanellën bardheblu. Në një prononcim për “FanZone” në “Supersport”, Doka shprehet i bindur se klubi i tij do të ngrejë lart trofeun e kampionit, e madje nuk ngurron të “thumbijë” Abazajn për këtë pjesë. Ndërkohë faktin nëse do të mund të vishte në të ardhmen fanellën e Partizanit, futbollisti i Tiranës ka thënë se të ardhmes nuk i dihet, megjithëse synon të luajë jashtë Shqipërisë.
“Tirana do të shpallet kampione dhe mendoj kur të rikthehemi nga kjo gjendje do ta tregojmë. Mezi po pres të kthehem dhe të ngre kupën e kampionit. Tani bëj shumë stërvitje, sepse i kam kushtet në shtëpi, kam palestër, fushë basketbolli, ndërsa sa i përket ushqimit, ndez skarën dhe pjek mish.
Kristal Abazaj është një nga shokët më të ngushtë, me atë komunikoj më shumë. Kemi një grup ku janë edhe emra të tjerë si Çekiçi e Krymi… Abazajt po ia them drejtëprdejt: titulli është i Tiranës dhe ai thjesht duhet të presë që të na shohë kur të ngremë kupën.
Në të ardhmen te Partizani? Jam te Tirana, vetëm për ekipin tim mendoj tani. Në të ardhmen nuk e di se çfarë do të ndodhë, por qëllimi im është të luaj jashtë”, ka thënë Albi Doka./Sport Ekspres/