Situata është përmbysur tërësisht brenda një sezoni për Tomas Strakoshën. Portieri shqiptar tashmë ka kaluar një zgjedhje e dytë për trajnerin Inzagi, i cili gjen më tepër besim te duart e Pepe Reinas. Humbja e vendit të titullarit nga një gardian 39-vjeçar, që në fillimet e tij erdhi me qëllimin për të rritur më tepër cilësitë e Strakoshës, ka nxitur nervozizmin e Strakoshës.
Ky i fundit pak kohë më parë braktisi edhe stërvitjen me klubin për këtë shkak. Por te Lacio duket se i është sosur durimi me skenat e portierit të Kombëtares kuqezi dhe menjëherë kanë nisur të shohin se çfarë ofron tregu i lojtarëve.
“Il Messagero“ bën me dije se Igli Tare ka piketuar zëvendësuesit e Strakoshës. Drejtori sportiv shqiptar ka qenë gjithnjë në mbrojtje të patriotit të tij, por tashmë është pajtuar me drejtuesit e skuadrës. Lorenco Montipo i Beneventos dhe Anatoli Trubin janë dy emrat që pëlqehen nga Tare për t’i veshur bardhekaltër./Halit Delibashi-Sport Ekspres/