Pas shkarkimit të Shpëtim Duros nga stoli i Kukësit, të gjithë kanë qenë kuriozë për të mësuar emrion e pasardhësit të tij. Klubi verilindor njoftoi se do të shpallte trajnerin e ri përpara orës 4 të ditës së sotme, por u mjaftua thjesht me lajmërimin për marrjen e drejtimit të përkohshëm të skuadrës nga Rrahman Hallaçi.
Emri më i përfolur ishte Skënder Gega, që arriti të rikthente sezonin e shkuar titullin kampion aq shumë të munguar te Partizani. Gjithça dukej e kryer, por situata ka marrë një rrjedhë tjetër. Sipas asaj që raporton “Procesi Sportiv”, Gega dhe Kukësi nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe në skenë ka dalë një emër i ri, Orges Shehi. Ky i fundit ka qenë trajner i Skënderbeut për një sezon, ndërsa tashëm pritet të marrë stolin e Kukësit. Ish-portieri momentalisht gjendet në Spanjë për një kurs trajnimi, por udhëtimi do të zgjasë më pak seç ishte planifikuar, pasi në Shqipëri e pret një kontratë për të firmosur./Sport Ekspres/