Të kujton Shqipërinë e vjetër me fytyrën e re/ Klaus Gjasula ishte “Trekëndëshi i Bermudës”, do të ndjekim deri në fund të botës!

Nga Klaudio Ndreca

Thuajse në gjithë vitet e shkuara Shqipëria ka pasur të njëjtën fytyrë me futbollistë “të panjohur” për arenën europiane që ndizeshin në Kombëtare. Të paktën me grintën dhe dëshirën e tyre për të bërë mirë me fanellën kuqezi, duke dalë përtej paraqitjet në klubet përkatëse. Por historia ndryshon me rritjen e cilësi e ve. Kudo në botë ka kritika të ashpra për futbollistë të njohur që kursehen dhe nuk japin 100% me Kombëtaren, për të bërë më mirë në ekipin ku luajnë.

Klaus Gjasula i përket dorës së parë, asaj të vjetrës, megjithëse fytyra e Shqipërisë është e re ku për herë të parë shohim futbollistë që vijnë nga skuadrat më cilësore në Europë.  Mesfushori 31-vjeçar luan me Darmstad në ligën e dytë të Gjermanisë. Mes kësaj liste që ka Kombëtarja, ekipi në fjalë stonon disi. Por më tepër me vetë performancën që jep Gjasula në fushë, të shkakton habi të madhe sesi ky futbollist nuk luan në Bundesligë. Ka të njëjtën qëndrueshmëri me nivelin e lartë ashtu si edhe Berat Gjimshiti, por ky i fundit ndodhet te Atalanta në Serinë A dhe gjithçka ka rrjedhë më llogjike.

Por fjalët e thëna në këto ditë nga ana e Gjasulës në konferencën për shtyp të shkaktojnë shumë emocion. Mesfushori pranoi se u largua nga Hamburgu për t’i ikur stolit dhe kërkonte me patjetër minuta në këmbë, pasi në të kundërt do të humbiste Kombëtaren. E megjithatë, nëse Gjasula do të vazhdojë me këtë nivel te ndeshjet e Shqipërisë, stafi i kuqezinjve është i detyruar ta thërras edhe sikur të luajë në fundin e botës, me ekipin më të panjohur.

Në vlerësimet e bëra për “Sport Ekspres” pas Polonisë, Gjasulën e kemi quajtur “Sergio Busquets i Shqipërisë”. Krahasimi ishte i guximshëm, por 31 vitet e kaluara mbi shpinë dhe vetë tipi i Gjasulës, nuk është një prej atyre futbollistëve që ne themi: “I merr koka erë”. Në ndeshjen kundër Hungarisë e ka perfeksionuar edhe më shumë veten e tij. Qetësia sesi vepronte Gjasula në mesfushë ishte e adhurueshme mes thyerjes së aksioneve, lëvizjeve me trup dhe me topin në zotërim që surprizojnë kundërshtarët dhe pasime të topit që janë gjithmonë të sakta në këmbët e shokëve të skuadrës.

Media hungareze Nepsaza do të analizonte ndeshjen Shqipëri-Hungari duke thënë: “Dhoma dhe hapësira për mesfushorin Kleinheisler u zhduk, sikur ta kishin luajtur ndeshjen jo në Ballkan, por në Trekëndëshin e Bermudës”. Por këtë herë nuk ka aq shumë mister sa në “Trekëndëshin e Bermundës”, “fajtori” është Klaus Gjasula. Ky i fundit vendosi që të hiqte helemetën e tij për një fillim të ri pas eksperiencës për t’u harruar te Hamburgu. Zgjedhja rezulton ideale! Gjasula ndryshon jo pak dhe rritet në nivel, me helmetën që merr ato pak të këqija prej tij. Por nga ana tjetër Gjasula nuk ndryshon “lojtarin e keq” për rivalët dhe agresivitetin e kërkuar në mesfushë, pavarësisht asaj fytyre ëngjëllore që të jep në pamje të parë. I vetmi dëshpërim në lidhje me të është mosha 31-vjeçare. Ndoshta e vetmja kërkesë që tifozët mund të kenë për të: “Gjasula, mos u vjetërso shpejt, kemi nevojë për ty”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *