Portieri francez Mike Maignan është i dëmtuar që nga shtatori i vitit 2022. Ndeshja e fundit që zhvilloi ishte ajo mes Francës dhe Austrisë në Ligën e Kombeve më 22 shtator. Ai u zëvendësua nga portieri rumun 37-vjeçar Ciprian Tatarusanu dhe është pak të thuhet se tifozët nuk janë të kënaqur me paraqitjet e tij.
Sot në Milano, një lajm i madh erdhi për tifozët e këtij klubi. Maignan do të rikthehet shumë shpejt në portë dhe këtë e ka konfirmuar Maldini, drejtori teknik i kampionit aktual të Italisë. “Është planifikuar që të kthehet në skuadër në 10 ditët e ardhshme. Duke qenë se ka pasur dy rikthime, duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Shmangëm një tjetër ndërhyrje të mundshme kirurgjikale”, tha Maldini. Sipas disa raportimeve portieri mund të jetë gati që për ndeshjen me Totenham, por parashikimet më realiste janë ato të rikthimit në fundin e këtij muaji. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/