Armando Broja po shijon sezonin e tij te Southempton-i, ku ka tërhequr vëmendjen e gjithë mediave me lehtësinë e tij për të dribluar dhe për të shënuar. Tifozët e “shenjtorëve” nuk janë të vetmit që po lumturohen me rritjen e tij, pasi më shumë se ta, suksesin e 20-vjeçarit po e shijojnë mbështetësit e Chelsea-t. Blutë e Londrës zotërojnë kartonin e Brojës dhe pyetja që të gjithë ngrenë është: “A do i japë Tuchel shansin për të luajtur me fanellën e Chelsea-t sezonin e ardhshëm”?
Paul Merson duket i bindur se e ardhmja e Armando Brojës i përket në radhët e Chelsea-t. Ish-futbollisti i njohur britanik, tashmë në rolin e analistit, është shprehur se me cilësitë që sulmuesi shqiptar zotëron e imagjinon pjesë të skuadrës së Tuchel-it në të ardhmen.
“Armando Broja është dikush që më ka tërhequr vëmendjen këtë sezon dhe e imagjinoj fuqishëm se ai ka një të ardhme te Chelsea. Ai është masiv, është i fuqishëm, është i shpejtë dhe ka dëshmuar se mund t’i vlerësojë objektivat vazhdimisht në nivelin më të lartë, kështu që edhe kur Chelsea do e lërë të shkojë, besoj se ata do të kërkojnë të përfshijnë një klauzolë kthimi në kontratën e tij”, është shprehur Paul Merson./Halit Delibashi-Sport Ekspres/