Riyad Mahrez ka hapur polemika të mëdha në Angli për shkak të deklaratës së dhënë së fundmi prej tij. Sulmuesi i Manchester City-t u shpreh se në radhët e “qytetarëve” ka lojtarë që nuk u intereson aspak se çfarë ndodh me ekipet e tjera, e madje edhe nëse bëhet fjalë për gjysmëfinale të Champions League. Sipas algjerianit shumica e miqve të tij futbollistë nuk e duan futbollin, por e luajnë atë vetëm për shkak të parave të shumta të ofron.
“Djemtë në City nuk i shikojnë ndeshjet e ekipeve të tjera në TV. Nuk ju plas fare për to. Shumë herë në dhomën e zhveshjes kam dëgjuar disa të tjerë që pyesin: “Çfarë ndodhi mbrëmë në ndeshje?”. Nuk e di çfarë të them. Mund të jetë gjysmëfinale e Champions League. Por nëse jeni futbollist, nuk duhet të vini të nesërmen në mëngjes dhe të pyesni se cili ishte rezultati në ndeshjen e djeshme.
Unë kam miq që janë futbollistë, megjithatë ata nuk e duan futbollin. Ata e luajnë atë sepse janë të detyruar dhe sepse ka para të madhe të përfshirë. Për mua futbolli është një pasion. Unë jam duke filluar drejt fundit të karrierës sime. Pyes veten se çfarë do të bëj në botën e futbollit. Sinqerisht, kjo është e vetmja gjë që po ndodh në mendjen time”, ishte deklarata e Riyad Mahrez.
Por nuk ka kaluar gjatë dhe lojtari i City-t është detyruar të përgënjeshtrojë gjithçka. Mahrez ka përdorur llogarinë e tij zyrtare në “Twitter” për të mohuar se fjalë të tilla kanë dalë prej gojës së tij. “Kurrë nuk e kam thënë këtë apo diçka të ngjashme”, ishte reagimi i algjerianit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/