Duket se aventura e gjatë e Hysaj tek Napoli po shkon drejt fundit. Periudha e Ançelotit dhe Gatuzos në Napoli nuk ka qenë aspak e qetë per Elseidin, i cili e ka humbur dukshëm titullin si “i pazëvendësueshëm” tek italiano jugorët. Menaxheri i shqiptarit, Mario Grufedi ka deklaruar për mediat se klienti i tij nuk do të rinovojë me të kaltrit, por që nga viti i ardhshëm do të jetë në një klub të ri.
“Rinovimi i Hysaj? Kjo çështje është e mbyllur besoj, Napoli do ta shesë diku tjetër dhe do të gjejë zëvendësuesin. Ne jemi duke kontaktuar me klube të tjera, ndërsa Hysaj duhet të mbyllë detyrimet e tij në fushë deri ne qershor”- u shpreh agjenti i Hysaj.
Sezonin e kaluar, Hysaj ishte përfolur për një kalim tek Valencia, por kjo nuk u arrit. Dëshira e lojtarit është të qëndrojë në Itali, prandaj nëse Torino arrin te mbijetojë në Seria A, mund të jetë destinacioni i radhës i shkodranit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/