Sot do të luhen edhe dy ndeshjet e grupit G në kampionatin botëror, grup ky ku Angli dhe Belgjika shihen si favorite për të kaluar në fazën me eliminim direkt. “Tre Luanët” do të përplasen në mbrëmje me modestet e Tunizisë dhe objektivi i vetëm i djemve të Sauthgejt është fitorja, madje dhe me gola të shumtë. Anglia dhe Belgjika duket se do të rivalizojnë me njëra-tjetrën deri në minutat e fundit se kush do ta mbyllë grupin si kryesues, por deri atëherë, shumë gjëra mund të ndodhin. Anglia ka treguar gjatë viteve të fundit se në kompeticionet e rëndësishme, zhgënjen.
Historia
Anglia ka dështuar në dekadat e fundit që të arrijë një finale botërori. Edhe pse ka pasur në përbërje emra si Lampard, Xherrard, Runi, Ouen, Terri, Ferdinand, Skoulls e shumë të tjerë, “Tre Luanët” nuk kanë arritur të sjellin sërish në Angli Kupën e Botës. Xherard dhe Lampard pranuan disa ditë më parë se arsyeja kryesore për dështimin e anglezëve gjatë viteve të fundit është se secili nga lojtarët, vendosnin klubet e tyre para kombëtares.
Sauthgejt
Ai që e ka zgjidhur këtë gjë është tekniku Sauthgejt, i cili meriton komplimentet më të mëdha. Strategu anglez ka arritur të rinovojë skuadrën dhe të marrë në botëror futbollistë të uritur për sukses. Anglia duket se është gati për në botërorin e Rusisë dhe nesër hedhin hapin e parë.
Kundërshtari
Pak dimë për Tunizinë, por në 5 ndeshjet e fundit të skuadrës modeste, kanë humbur vetëm kundër Spanjës. Tekniku i tyre, Malul ka ndërtuar një prapavijë solide dhe shumë të vështirë për tu thyer. Çdo skuadër e ka pasur të vështirë kundra tyre, madje dhe vetë Spanja. “La Roja” triumfuan me rezultatin 1-0 kundër Tunizisë, skuadër kjo që mund të jetë fare mirë supriza e këtij turneu.
Kejn
Ai që do të kritikohet më shumë në rast të një disfatë të anglezëve, do të jetë kapiteni Kejn. Ylli i Totenhamit do të udhëheqë “Tre Luanët” në kampionatin e Rusisë dhe i gjithë kombi britanik pret shumë prej tij. Kejn vazhdon të insistojë se asgjë nuk ka ndryshuar, edhe pasi ka marrë shiritin e kapitenit. “Asgjë nuk ka ndryshuar! Kam të njëjtat detyra dhe të njëjtin detyrim ndaj shtetit tim. Trajneri më ka besuar dhe kjo gjë do të ndihmojë edhe më shumë.” Kështu u shpreh sulmuesi i Anglisë disa ditë më parë dhe duket gati për të shpërthyer në Rusi.
Ali
Dele Ali ka marrë edhe komplimentet e vetë legjendës braziliane, Roberto Karlos. Ylli i Totenhamit do të luajë për herë të parë në një Kupë Bote dhe duket mëse gati për të treguar kualitetet e tij. Shumë presin edhe nga 22-vjeçari, i cili do ta shohë këtë botëror si trampolinë për karrierën e tij. Dele Ali mund të marrë si shembull shpërthimin e Hames Rodrigezit në botërorin e shkuar, pasi të dy lojtarët kanë shumë ngjashmëri.
Formacionet e mundshme:
Tunizi (4-5-1)
Mathluthi
Bron Jusuf Meria Mahlul
Jusëf Khaui Shiri Sasi Badri
Sliti
Angli (3-4-3)
Pikford
Uolker Kahill Stouns
Tripier Henderson Ali Ruoz
Lingard Kejn Sterling