Ankesa pa fund, akuza, dyshime: Flamurtari më në fund aktivizohet edhe juridikisht, duke mos u ndalur tek akuzat, apo shpallja “non grata” e ndonjë arbitri. Ato që kanë ndodhur këtë sezon janë për të vënë duart në kokë dhe të paktën vendi i dytë do të ishte shumë më pranë për vlonjatët, nëse arbitrat në shumë raste nuk do të bënin “gabime njerëzore”, term që përdoret aq shumë, saqë duhet shpallur i jashtëligjshëm në futbollin shqiptar.
Me Kupën e Shqipërisë dhe gjysmëfinalet në horizont, Flamurtari do bëjë zyrtarisht kërkesë që dy ndeshjet gjysmëfinale të të arbitrohen nga të huaj. Argumentimi do të jetë i plotë, me dosje të kompletuar, ku do të evidentohen gjithë gabimet kundër Flamurtarit, ndeshjet ku është dëmtuar dhe sjellja me dy standarde e arbitrave shqiptarë, kur të njëjtat faulle trajtohen ndryshe pro Flamurtarit dhe ndryshe kundër tij.
Me shumë gjasa Flamurtari do të jetë i gatshëm të marrë përsipër edhe pagesën e arbitrave të huaj, për të mbyllur çdo shteg refuzimi nga Federata Shqiptare e Futbollit, që tashmë është hapur nën akuzë, sepse nuk ka mundësi që Flamurtari të jetë aq i pafat sa të ketë një raport 80-90% gabime kundër, ndërsa klubet e tjera i kanë ose në favor, ose e shumta deri te 60% kundër.
Diçka nuk shkon në këtë sezon, beteja e Flamurtarit kundër FSHF-së duket se ka ndikuar hapur tek arbitrat, që nuk e vrasin mendjen fare nëse gabojnë kundër klubit vlonjat, sepse nuk i dënon askush dhe për këtë ka fakte: edhe arbitri më negativ ndaj Flamurtarit, e shumta ka bërë pushim një javë dhe është kthyer në fushë pa i hyrë gjemb në këmbë. Ndeshja kundër Laçit ishte kulmi i talljes me vlonjatët, që tashmë duan vetëm një gjë, të luajnë të qetë, duke e ditur se arbitri do ta mbajë diku te 50-50% ndeshjen. Po e teprojnë me këtë kërkesë?!