“Talenti i Lacios, 110 milionë u refuzuan vjet”

Lacio nuk shkoi dot në Champions League për sezonin e ardhshëm, por jo gjithçka ka qenë negative, sepse disa lojtarë e kanë rritur vlerën e tyre në treg.

Presidenti Klaudio Lotito ka përmbledhur sezonin, duke folur për planet e së ardhmes: “Në këtë moment kemi një klub solid, që mund të shohë me besim nga e ardhmja. Para se të vija unë te Lacio punohej me idenë që sa më shumë shpenzon, aq më shumë fiton, por e përmbysa këtë rregull. Fitorja më e madhe e jona këtë sezon ishte kthimi i 70.000 personave në stadium, Lacio ka rigjetur njerëzit e saj. Ka tre vite që nuk flas dhe shpesh lexoj gjëra absurde, ndoshta bezdis shumë njerëz. Gjithsesi, uroj që Lacio të mbahet mend për mirë, kemi fituar disa trofe dhe mbi të gjitha kemi bashkuar rezultatet me aspektin ekonomik. Në të shkuarën klubet e tjerë nuk trokisnin fare, tani na marrin leje”.

Natyrisht, moskualifikimi në Champions ka koston e vet: “Nuk dua të ankohem, nuk ka vlerë. Lacio mund të ishte më lart në renditje, por VAR dhe teknologjinë e golit mbi vijën fatale i kam futur unë në Itali. De Vrij tek Interi? Problemi i vetëm me Interin lindi para ndeshjes, sepse e dinim që lojtari kishte marrëveshje me zikaltrit. Kishim besim te serioziteti i lojtarit, ishte fat i keq që gaboi pikërisht ai. Zgjedhjet i bëmë unë dhe Inzagi. Interi duhej ta shmangte atë sjellje, nëse kishte firmosur që në janar, nuk kishte pse njoftonte për depozitimin e kontratës para ndeshjes.

“Milinkoviç-Saviç? Refuzova 110 milionë euro më 29 gusht vjet, nuk e di sa vlen tani. Megjithatë, nuk është problem çmimi, ai është shumë mirë te Lacio”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *