Korrikun e shkuar Ajaksi përjetoi një ndër momentet më të këqija në historinë e vet, sepse në një miqësore kundër Verderi futbollisti holandez Abdelhak Nuri ra në tokë pa ndjenja dhe që atëherë është i paralizuar, pasi ka pësuar një dëmtim të rëndë në tru.
Në janar u zbulua se Federata Holandeze kishte kryer kontrolle mjekësore në vitin 2014 dhe Nuri kishte rezultuar me një problem në zemër, por Ajaksi kishte gjykuar se bëhej fjalë për një problem që nuk përbënte rrezik për shëndetin e lojtarit.
Tani në Federatën Holandeze do të nisë një proces, sepse familja e futbollistit ka ngarkuar një avokat që ta përfaqësojë në betejën ligjore ku i kërkon Ajaksit dëmshpërblim prej disa milionë eurosh, për të ardhurat që ka humbur futbollisti nga karriera që mund të kishte, nga pakujdesia e Ajaksit në kontrollet mjekësore dhe nga ndërhyrja e ngadaltë e mjekëve kur ndodhi ngjarja.
Ajaksi, nga ana e vet, ka dalë me një deklaratë ku mohon çdo përgjegjësi dhe ku pretendon se ka pasur bashkëpunim të ngushtë me familjen e lojtarit, por gjithsesi ka deklaruar se do të pranojë qetësisë çdo vendim të Federatës Holandeze.