Taku: Titulli s’diskutohet, ta mbyllim sa më bukur 2017-ën

Mesfushori kryeqytetas rezulton një nga blerjet më të rëndësishme të korçarëve për këtë sezon. Luan në çdo rol dhe po spikat edhe si golashënues

Leonard Trebicka

Mes shumë lojtarëve, të cilët erdhën te Skënderbeu gjatë merkatos së verës, Afrim Takut se është nga më të rëndësishmit. Ashtu si sulmuesi Ali Soue, i cili ka një rol të veçantë në lojën e korçarëve, edhe mesfushori kryeqytetas ka vlerat e veta, pasi sakrifikon për ekipin, duke luajtur në çdo rol dhe në 15 javë ka shënuar shumë gola me peshë. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Taku thekson se skuadra ku ai luan kërkon gjithmonë e më shumë në çdo ndeshje dhe titulli nuk duhet vënë në diskutim. A;i vlerëson Teutën si një kundërshtar të fortë, por ka besim se para tifozëve të Skënderbeut do të vijë fitorja e radhës.    

– Taku, të premten në Korçë vjen Teuta, Sipas jush, çfarë ndeshjeje pritet të jetë?

– Për mua dhe gjithë ekipin është një ndeshje e radhës, që kërkon përqendrim maksimal nga ana jonë. Si në çdo ndeshje tjetër, do të dalim në fushë vetëm për të fituar. Jo vetëm Teuta, por çdo kundërshtar vlen vetëm tri pikë për ne, ndaj dhe mundohemi të bëjmë më të mirën gjithmonë.

– Sa shanse ka Skënderbeu ta mbyllë me fitore vitin 2017?

– Vlejnë mbi të gjitha tri pikët dhe në këtë 90-minutësh do të bëjmë ç’është e mundur që të fitojmë. Jo vetëm unë, por të gjithë lojtarët e Skënderbeut që do të jenë në fushë, ju garantoj se do të japin maksimumin për ta mbyllur këtë vit me fitore. Shanset janë të mëdha.

– Mos ndoshta është një detyrim kjo fitore e fundit, pasi luani përpara tifozërisë korçare?

– Është një detyrë shtëpie në një farë mënyre. Sigurisht, duhet ta vlerësojmë kundërshtarin për cilësitë që ka, por duhet të jemi ne ata që duhet ta tregojmë veten dhe të zhvillojmë atë lojë të bukur që kemi zhvilluar në shumicën e ndeshjeve deri tani. Nëse bëjmë më të mirën, sigurisht që nuk ka skuadër që na ndal në rrugën tonë.

– Teuta ndodhet shumë pikë larg jush. Kjo do të thotë diçka për ju dhe Skënderbeun?

– Renditja asnjëherë nuk tregon asgjë, pasi të gjitha skuadrat e tjera, kur luajnë ndaj nesh, karikohen 100%, madje edhe më shumë se kaq. Gjithsesi, Teuta duhet të vlerësohet maksimalisht, ka lojtarë shumë të mirë në përbërje dhe ka vënë në vështirësi çdo skuadër. Në fund të fundit, ne shikojmë punën tonë dhe na intereson vetëm fitorja, asnjë rezultat tjetër, për më tepër që luajmë përpara tifozëve tanë dhe duhet t’i kënaqim me një lojë të bukur dhe 3 pikët.

– Skënderbe kryeson Superligën i shkëputur, por a ka mundësi ta thellojë më tej diferencën me ndjekësit?

– E rëndësishme për ne është të fitojmë këtë takim dhe të jemi edhe më të qetë në krye të renditjes. Më pas, si do të shkojë diferenca, varet edhe nga kundërshtarët. Nëse arrijmë ta thellojmë diferencën dhe këtë do të mundohemi të bëjmë, do të jetë edhe më mirë për ne.

– Jemi mësuar t’ju shikojmë edhe si golashënues. Mos e keni ruajtur një gol ndaj Teutës, si në fazën e parë?

– Së pari, të fitojë Skënderbeu, sepse kjo është gjëja më e rëndësishme. Më pas, se kush shënon, është diçka dytësore dhe shikohet pas trepikëshit që ne kërkojmë të marrim. Fitorja gëzon gjithë ekipin, kurse goli është kënaqësi personale.

– Në Korçë ka ditë që po bën shumë ftohtë. Po ju prish punë moti dhe a do të ndikojë në lojë të premten?

– Në fakt, këtë javë e kemi ndjerë të ftohtin, pasi ka rënë edhe dëborë. Por klima është shumë e mirë. Asgjë nuk do të na ndalë që ne ta mbyllim me tre pikë të tjera 2017-ën.

– Thuajse të gjithë futbollistët po i presin me padurim pushimet dimërore, po ju?

– Të mbyllim me sukses ndeshjen e fundit ndaj Teutës, me një fitore bindëse, ky është synimi i të gjithëve në këtë moment. Ka kohë edhe për të pushuar pas së premtes.

– U bënë muaj që Taku ka veshur fanellën e Skënderbeut. Realisht, jeni i kënaqur që jeni pjesë e kësaj skuadre?

– Jam i kënaqur me atë çka kam kaluar deri tani me fanellën e Skënderbeut. Por një lojtar duhet të punojë më shumë dhe asnjëherë nuk kënaqet me atë që ka dhënë. Gjithmonë lojtari kërkon më shumë nga vetja dhe këtë do të bëj edhe unë për vitin e ardhshëm, do të kërkoj më shumë nga vetja.

– Titulli kampion këtë sezon thuhet se po vjen në Korçë…

– Mendoj se duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Nëse e bëjmë një gjë të tillë, titulli do të vijë normalisht në Korçë. E rëndësishme është të përqendrohemi në momentin ku jemi, pastaj për të tjerat mendojmë kur të vijë koha. Titulli do të ngrihet në muajin maj dhe ka shumë kohë deri atëherë.

– Së fundi, Taku dhe Skënderbeu do të kthehen më të fortë në vitin 2018?

– (Qesh) Nuk kemi mbyllur ende 2017-ën. Shpresoj shumë që të gjithë të kthehemi më të fortë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *