Për momentin palët kanë rënë dakord për ndërprerjen e kontratës, duke parë si shkuan gjërat, por për sezonin e ri mund të takohen sërish
Gjatë përgatitjeve dimërore, Afrim Taku u bë çështje te Skënderbeu. Mesfushori shkoi në Amerikë për të rinovuar dokumenteve amerikane dhe rikthimi tij vonoi jo pak. U tha disa herë se lojtari do të kthehej shpejt dhe do të bashkohej me ekipin në Turqi. U fiksua data 10 shkurt nga vetë Taku, por edhe atëherë ai nuk erdhi. Tashmë mësohet lajmi se palët kanë rënë dakord për ndërprerjen e kontratës. Lajmi nuk është bërë i ditur zyrtarisht nga klubi korçar, por në një farë mënyre është pranuar prej drejtuesve të tij dhe stafit teknik. Zvarritja e kthimit të Takut nga Amerika për shkak të procedurave me dokumentacionin, por edhe çështja hapur nga UEFA në lidhje me dënimin e mundshëm të Skënderbeut, sollën këtë akord mes palëve. Në fakt, trajneri Ilir Daja e priste Takun sa më shpejt në ekip, duke e pasur të qartë se ai është një lojtar që i zgjidhte shumë probleme. Disa herë ka folur me lojtarin, por tani gjërat shkuan kështu si shkuan dhe klubi dhe mesfushori gjetën këtë rrugë.
RIKTHIMI – Ajo që mësohet në lidhje me këtë çështje ka të bëjë me faktin se klubi Skënderbeu dhe Taku kanë gjithçka të hapur për sezonin e ardhshëm, që do të thotë se mund të ketë sërish një bashkëpunim mes tyre. Si drejtuesit e klubit, ashtu edhe lojtari, kanë mbetur të kënaqur nga bashkëpunimi dhe dëshira është për t’u bashkuar sërish, por kuptohet që në këtë mes ka të bëjë shumë edhe vendimi që do të marrë UEFA në lidhje me Skënderbeun. Nëse ekipi korçar ia hedh paq, atëherë me shumë mundësi Taku do të jetë sërish bardhekuq.
Mesfushori kryeqytetas u përshtat shumë shpejt me lojën e Skënderbeut në gjysmën e parë të sezonit dhe arriti të shfaqej edhe si goleador, duke shënuar 5 herë me fanellën e ekipit korçar. Taku ka mbuluar role të ndryshme në ekipin e trajnerit Daja, si mbrojtësi i krahut të djathtë, mesfushor qendre dhe sulmues i krahut të djathtë. Tani mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë në të ardhmen me këtë lojtar, të cilin te Skënderbeu e duan, edhe pse në këtë moment kanë shkëputur marrëdhëniet kontraktuale.