Presidenti i Skënderbeut poston për herë të parë në faqen e vet sukseset e ekipit dhe jo vetëm. Titulli po afron dhe ai po përgatit atmosferën
Leonard Trebicka
Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka munguar kohët e fundit në shtypin sportiv, ku nuk ka dhënë asnjë intervistë televizive. “Bosi” i Skënderbeut, në heshtje që në momentin kur inspektorët e UEFA-s kërkuan që Skënderbeu të dënohej me 10 vite jashtë Europës, është marrë më shumë me studion ligjore në Zvicër, duke besuar se CAS-i do t’i japë të drejtë. Megjithatë, dje ai ka nisur të “thyejë” heshtjen dhe të postojë foto të ekipit dhe terreneve sportive të Skënderbeut, që në fakt i ka zili çdo klub në vendin tonë. Ai ka postuar 18 foto, diçka e pazakontë për presidentin e Skënderbeut. Ndoshta me këtë postim kreu i klubit korçar ka lënë të nënkuptohet se po bëhet gati për festën e titullit kampion. Këtë e tregon qartë fotoja e njërës prej festave të Skënderbeut, ku në Korçë tifozët e kanë ndezur flakë stadiumin. Presidenti Takaj mezi po e pret festën e titullit, pavarësisht se vjen në një moment jo të përshtatshëm. Në qytetin më të madh juglindor po përgatiten për trofeun e 8-ë në histori. Ndoshta Takaj ndjen mall për festat, që në ekipin e tij kane qenë të zakonshme në dekadën e fundit. Përveç fotove të festave, Takaj ka publikuar edhe fotot e ambienteve sportive në Korçë dhe të ekipit të Skënderbeut. Të shtunën ai do të jetë në Korçë për ndeshjen e ardhës me Kamzën, që pritet ta afrojë më shumë ekipin bardhëkuqe me titullin.
TITULLI – Nesër është data 13 prill dhe pritet të merret vendimi i shumëpritur i titullit kampion të sezonit 2015-2016. Ka qenë në fakt një titull kampion që e fitoi Skënderbeu, por FSHF-ja ua hoqi korçarëve. Çështja është apeluar dhe tashmë pritet vendimi zyrtar. Ndoshta ky trofe mund t’u kthehet korçarëve dhe kjo do të jetë një fitore e madhe për Skënderbeun, nëse ndodh. Përveç këtij vendimi, korçarët presin edhe vendime të tjera, ku më i rëndësishmi është ai i CAS-it, që ka të bëjë me dënimin 10-vjeçar jashtë Kupave të Europës.