Ndeshja e së enjtes mes Skënderbeut dhe Partizanit të Beogradit në Europa League po merr gjithmonë e më tepër vëmendje në vendin tonë jo vetëm nga tifozët korçarë, për shkak edhe të ndjenjës nacionaliste. Por presidenti i korçarëve, Ardjan Takaj, kërkon që të flitet vetëm për futboll dhe jo për nacionalizëm.
Për “Supersport”, presidenti Takaj u shpreh: “Është vetëm një ndeshje futbolli kjo me Partizanin e Beogradit dhe si e tillë, natyrisht që nuk ka vend për nacionalizëm. Presim shumë njerëz në stadium të enjten, të cilët do të mbështesin ekipin dhe jam i bindur se do të zhvillohet një betejë e bukur vetëm në aspektin sportiv. Ne do të kërkojmë të marrim fitoren e parë në këtë edicion të grepeve në Europa League, pasi i shkuam shumë pranë në ndeshjen ndaj Jang Bojs. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për të bërë një ndeshje të bukur dhe për të dalë me 3 pikë nga fusha e lojës mbrëmjen e së enjtes”.