Një nga përforcimet e bujshme të Kukësit ka qenë edhe Gjelbrim Taipi, futbollisti i cili ka një CV të pasur dhe po jep kontributin e tij me verilindorët, për t’i shtuar më tepër vlerat elitës së futbollit tonë. I ftuar në “Rubrika Sportive” që transmetohet në “RTSH”, Taipi ka bërë edhe një krahasim mes dy kampionateve, pasi ka luajtur më herët në Zvicër.
Duke përjashtuar Young Boys dhe Bazel që janë dy ekipet më të mira në Zvicër dhe njëkohësisht që garojnë në nivelet më të larta të Europës, pjesa tjetër e skuadrave kanë të njëjtin nivel me Superioren. Në këtë përfundim ka arritur Taipi që njëkohësisht ka marrë dhuratën më të bukur për datëlindje, pasi Kukësi ka fituar në shifrat 3-1 ndaj Skënderbeut.
“Fitorja ishte dhurata më e bukur për ditëlindjen time. Vinim pas katër ndeshjesh pozitive dhe ishim përballë një kundërshtari të vështirë. Skënderbeu ka një histori në futbollin shqiptar. Nuk është si në vitet e mëparshme, por kampionati është akoma i gjatë dhe i uroj suksese.
Nuk ka ndeshje të lehta në Shqipëri. Nëse shikon shifrat në fund, ndoshta duket kollaj, por deri sa rezultati shkoi 2-0, nuk ishim të qetë. Gjatë 90 minutave mund të ndryshonin shumë gjëra nëse kishte ndonjë pakujdesi në mbrojtje ne mund të pësonim.
Krahasimi mes kampionateve? Unë kam luajtur për gati 7 vjet si në Superligën zvicerane, ashtu edhe në kategorinë e dytë të tyre (Challenge league). Mendoj që duke përjashtuar nivelin e Baselit apo Young Boys që shkojnë çdo vit në grupe të Champions-it apo të Europa League, skuadrat e tjera si futboll, si kualitet, si fizik, janë thuajse në një nivel me ato të Shqipërisë. Patjetër, duke hequr pjesën e infrastrukturës, apo stërvitjen. Ndoshta mund ta kem gabim, por aty e shikoj”, u shpreh Taipi. /Sport Ekspres/