“Superiorja në nivelin e Ligue 2“, ish-lojtari i Kukësit rrëfehet në Francë: Milani, kujtimi më i mirë i karrierës

Olsi Teqja befasoi jo pak vitin e shkuar, kur la Kukësin për Kategorinë e 4-t të Francës. Mbrojtësi shqiptar firmosi me ekipin Beauvais Oise për dy vite, duke kërkuar kështu një tjetër aventurë në karrierën e tij. Futbollisti 32-vjeçar ka dhënë një intervistë për “Le Parisien”, ku tregon për momentin më të bukur të karrierës së tij, kalimin në radhët e Beauvais Oise,  apo edhe për nivelin e Kategorisë Superiore.

Momenti më i veçantë në karrierë: “Unë jam një tifoz i Milanit. Për mua, (ndeshja në Europa League kundër Milanit) do të mbetet kujtimi më i mirë i karrierës sime. Për ne, ishte një arritje të humbnim me vetëm një gol kundër këtij klubi legjendar. Shansi donte që unë të shkoja për një kontroll doping. Aty kam kaluar një orë duke biseduar me Giacomo Bonaventura. Mbetet një moment magjik për mua”

Kalimi në Ligën e 4-t Franceze: “Kjo zgjedhje ishte një befasi e madhe në vendin tim. I dhashë fjalën klubit dhe firmosa për dy vite. Kam ndërmend të shkoj deri në fund të aventurës dhe ndoshta edhe më shumë”.

Niveli i Superiores: “Është një kampionat shumë i mirë, edhe pse është pak i panjohur në Francë. Për mua, është i të njëjtit nivel si i Ligue 2. në Francë”.

Kombëtarja: “Të gjithë mbrojtësit e zgjedhur luajnë në Serie A në Itali. Kjo është arsyeja pse unë doja të provoja fatin tim në Francë. Ishte mënyra e vetme për të vazhduar përparimin”, ka thënë Olsi Teqja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *