Kategoria Superiore do të mbyllë xhiron e saj për vitin 2017 këtë fundjavë. Java e 16-të do të luhet e gjitha në një ditë dhe në të njëjtën orë, befasi jo thjesht për faktin se do të luhet të premten, por edhe sepse nuk do të ketë ndeshje pasdite vonë. Partizani do të presë në shtëpi Vllazninë. Lushnja do të jetë mysafire në Laç, ashtu si Teuta që do të udhëtojë në Korçë. Në “Zeqir Ymeri” Luftëtari do të synojë surprizën përballë Kukësit. Në Kamzë do të zhvillohet ndeshja më interesante, me Flamurtarin që sfidon të besuarit e Ramadan Ndreut.
Nuk ka ndonjë arsye reale për këtë vendim, por është e qartë që të shtunën Superiorja do të dëmtohej jo pak nga El Clasico, Real Madrid-Barcelona, sfidë që edhe në Shqipëri mbërthen të gjithë para ekranit dhe do të luhet në orën 13.00.
Ndoshta mund të luhej të dielën, por futbollistë e drejtues të huaj duan të kenë sa më shumë ditë në dispozicion për të kaluar me familjet dhe ndoshta Federata është treguar mirëkuptuese në këtë drejtim. Po orari i njëjtë? Këtu ka pikëpyetje, sepse mund të luhej Partizani-Vllaznia apo Skënderbeu-Teuta me drita, por ndoshta të ftohtit bën që të luhet më herët.