Tradita e bukur e “Kupës Coca-Cola” vazhdon për të pestin vit radhazi në rang kombëtar ndërmjet shkollave 9-vjeçare, ku kanë qenë pjesëmarrës plot 1800 fëmijë nga qytetet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Fierit dhe Shkodrës.
Finalja u zhvillua më 31 maj në stadiumin “Elbasan Arena”, ku atmosfera ishte shumë e bukur falë tifozëve bashkëmoshatarë.
Për femrat, u shpall fituese shkolla “Pandeli Cale” e qytetit Korçë, e cila mundi me rezultatin 2-0 shkollën “Marie Kaçulini” të Durrësit.
Ndërkohë, për meshkujt fituese u shpall shkolla “Ptoleme Xhuvani”, Elbasan, pasi mundi në finale shkollën “Skënderbej”, Shkodër. Koha e rregullt u mbyll në barazim 2–2, ku elbasanasit e rinj fituan falë penalltive me rezultatin 4-1.
Në këtë aktivitet, morën pjesë edhe të ftuar specialë, si këngëtarja Arilena Ara, e cila dha edhe trofeun për vajzat duke transmetuar mesazhin e saj për gjithë të rinjtë:
“Urime të gjithë pjesëmarrësve në Kupën Coca-Cola! Muzika dhe sporti na frymëzojnë për të qenë më aktive dhe energjikë, ndaj mos hiqni kurrë dorë nga pasioni juaj.”
Ndërsa për djemtë, trofeun e dha anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, z.Vasil Bicaj.
Turneu i shkollave 9-vjeçare, i cili ka nisur një muaj e gjysmë më parë, është nisma e kompanisë “Coca-Cola”, Federatës Shqiptare të Futbollit, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Ky kampionat midis shkollave ka filluar në vitin 2014 dhe pritet që të vazhdojë traditën më tej me qëllimin promovimin e futbollit tek fëmijët.
Kupa Coca-Cola” në Shqipëri synon të jetë një shembull që motivon mirëqenien dhe jetën aktive tek të rinjtë në një mënyrë argëtuese dhe bashkëvepruese.