“Sulmi ogur i mirë, por nuk varet vetëm nga ne“, Cikalleshi: Me Poloninë varet fati jonë, këto ndeshje na tregojnë ku jemi

Sokol Cikalleshi është bashkuar me Kombëtaren në grumbullim, ndërsa forma e tij mjaft e mirë me Koniasporin premton shumë për ndeshjet e radhës. Sulmuesi shqiptar ka dhënë një intervistë për mikrofonin e “Supersport“, ku flet për rikthimin e dueleve me përfaqësuesen kuqezi. Cikalleshi shpreson të ketë vazhdimësinë e golit edhe me fanellën e Shqipërisë, ndërsa shton se sfidat e muajit shtator do të jenë një pasqyrë e mirë për ekipin tonë kombëtar në mënyrë që të shohë veten se ku është në këto kualifikuese për Kupën e Botës.

Rikthimi i ndeshjeve të Kombëtares: “Besoj që tani jemi në fillim të kampionateve, kemi mbyllur fazat përgatitore dhe mendoj që jemi mirë. Ndihemi mirë. Shumica e lojtarëve po luajnë. Shumica e grupit po kthehen në kushte optimale, ku janë paraqitur shumë mirë në ekipet e tyre. Jemi gati dhe uroj që këtë gjë ta tregojmë në fushën e lojës, duke nisur që me Poloninë“.

Vazhdimësia e golave edhe me Shqipërinë: “Uroj shumë. Kam shënuar tre ndeshjet e fundit, kam shënuar 2 gola. Ndihem shumë mirë, uroj të vazhdoj kështu. Patjetër që kam arritur në një nivel të mirë tani, por duhet mbajtur dhe për tu mbajtur duhet shumë punë e përkushtim. Duke nisur që me ndeshjen me Poloninë, uroj që jo vetëm unë, po gjithë ekipi, të 11 lojtarët që do jenë në fushë të bëjnë më të mirën. Sepse është një ndeshje ku varet fati jonë. Mendoj që në këto dy ndeshje do ta shohim veten ku jemi në në kualifikueset e botërorit. Ndihemi mirë dhe jemi të përkushtuar për të dhënë maksimumin“.

Sulmi në formë i Kombëtares: “Në momentin që lojtarët janë në formë dhe arrijnë që sulmuesit të shënojnë është një ogur i mirë. Por kjo nuk do të thotë që çdo gjë varet nga sulmi. Normalisht, duke parë edhe nga ndeshjet e kaluara, ne duhet të jemi një grup i fortë të gjithë së bashku. Të mbrojmë mirë dhe të sulmojmë mirë të gjithë në grup. Kështu që është diçka e mirë, por që patjetër duhet të jemi në sinkron me repartet e tjera për të arritur rezultatet pozitive”.

Duel në distancë me Levandovskin? “Nuk mund të shikojmë duel në distancë. Levandovski është Levandovski dhe nuk ka nevojë për shumë komente. Por duke qenë se jemi 11 lojtarë në fushë dhe që futbolli nuk është sport individual, mendoj që është diçka plus për Poloninë por jo gjithçka. Ne do të jemi të gjithë në grup dhe besoj se grupi është mbi individin. Në qoftë se ne do të jemi një grup mbi individin me Poloninë besoj që do të dalim të kënaqur“, ka thënë Sokol Cikalleshi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *