Heroi i Vllaznisë sot në Lushnje, Xhevahir Sukaj, i gëzohet kthimit te goli si futbollist i skuadrës ku është rritur, por nga ana tjetër kërkon më shumë unitet dhe më pak kritika në Shkodër, aty ku skuadra dhe klubi kanë kthyer në një shënjestër të përditshme nga gazetarët lokalë.
“Duke parë momentin e vështirë të Vllaznisë, angazhimi dhe preokupimi ynë është maksimal, sepse dihet që rrezikojmë. Luanim ndaj një rivali direkt, që kërkonte me çdo kusht fitoren për të shpresuar, ndaj e kishim vlerësuar maksimalisht dhe falë Zotit fituam.
“Që kur kam nisur të luaj futboll, presion më të madh nga dashamirësit e vet se te Vllaznia nuk kam përjetuar asnjëherë. Megjithatë, uroj të dalim nga situata dhe fitorja e sotme të na nxjerrë nga vështirësitë. Disa lojtarë japin më shumë kur kritikohen, por ka edhe lojtarë, si jabanxhinjtë, që kur kritikohen ndihen keq dhe sikur izolohen, sepse duket sikur kritikohen qëllimisht.
“Skuadra ka cilësi dhe mundësi për më lart, por nuk janë Kukësi e Skënderbeu rivalet tanë. Ne duhet të matemi me rivalët tanë dhe sot fituam një ndeshje direkte, mendoj se mundësitë i kemi për të shpëtuar, edhe pse është shumë e vështirë, duke parë rivalitetin e egër.
“Penalltia, diskutim me Ribajn? Penalltitë zakonisht i gjuaj unë, të dy dëshironim ta gjuanim penalltinë për të siguruar fitoren, por nuk ishte debat, absolutisht”.