Dëshpërimi i humbjes së pafat ndaj Gjermanisë është pasuar nga tronditja për kërcënimet me jetë dhe mesazhet raciste ndaj mesfushorit Xhimi Durmaz, i cili shkaktoi faullin prej të cilit erdhi goli i bukur shënuar nga Toni Kros.
Kombëtarja suedeze e ka nisur ndryshe seancën e sotme stërvitore, sepse lojtarët dhe stafi kanë thirrur mediat dhe kanë shfaqur mbështetjen e plotë për futbollistin me origjinë asiriane.
E gjithë skuadra u mblodh para gazetarëve dhe trajneri Jane Anderson tha: “E nisim ndryshe ditën e sotme, sepse ajo që ndodhi dje me Durmaz është krejtësisht e papranueshme”.
“Jam futbollist që luaj në nivelet më të larta, por është krejtësisht e papranueshme që të më quajnë gjakpërzier dhe kamikaz, që familja ime të kërcënohet. Jam suedez dhe krenar që e vesh këtë fanellë dhe mbroj këtë flamur. Dua t’u falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe ngrohtësinë tuaj”, tha Durmaz para skuadrës, duke u kthyer nga shokët dhe duke i pyetur:
“Ne jemi të bashkuar, ne jemi Suedia, apo jo?”.
“Fuck racism!”, ishte përgjigja në kor e gjithë ekipit.