Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi strategjinë e re “Vision to Victory 2026-2030”, një plan zhvillimi për pesë vitet e ardhshme që synon të përmirësojë gjithë ekosistemin e futbollit shqiptar, nga futbolli amator te ai profesional dhe zhvillimi institucional.
Drejtori Administrativ, Aldi Topçiu, në një intervistë për fshf.org, shpjegon se strategjia nuk është thjesht një dokument, por një udhërrëfyes i detajuar që bazon të gjitha veprimtaritë e FSHF-së në pesë vitet e ardhshme dhe është rezultat i konsultimeve të gjera me anëtarët e federatës dhe ekspertët e UEFA Grow.
“Strategjia e Federatës së Futbollit “Vision to Victory 2026-2030” përfaqëson në radhë të parë një udhërrëfyes të zhvillimit të futbollit në mbarë vendin. Ai nuk është thjesht një dokument strategjik, është një themel mbi të cilin planifikohen veprimtaritë e zhvillimit të futbollit nga ana e FSHF për 5 vitet e ardhshme.
Vision to Victory është produkt i konsultimit të gjerë të FSHF me anëtarët e saj, me specialistët e UEFA Grow në nivel europian, është rezultat i një studimi i të gjitha nevojave të ekosistemit të futbollit shqiptar, duke filluar nga ai amator, duke vijuar te ai profesional, por edhe te aspektet e tjera të zhvillimit institucional të FSHF. Kjo strategji vjen si rezultat i një pune gati njëvjeçare në të cilën është kryer analiza e të gjitha nevojave, e të gjitha detyrave, e të gjitha funksioneve që FSHF, anëtarët e saj dhe e gjithë bota e futbollit shqiptar ka evidentuar si të nevojshme për t’u zhvilluar, por vjen edhe si rezultat i studimit dhe konkluzioneve të arritura nga strategjia dhe cikli i mëparshëm i lançuar në vitin 2022”- tha ai.
Drejtori Administrativ, Aldi Topçiu, thekson se strategjia duhet të zbatohet praktikisht dhe të kthehet në plane konkrete pune me afate 1–2 vjeçare, në mënyrë që të mos mbetet thjesht një dokument, por të shërbejë si mjet për zhvillimin e qëndrueshëm të futbollit shqiptar.
“Të punuarit nëpërmjet një strategjie i jep organizatave sportive një vision për të parashikuar sfidat e të ardhmes. Është tepër e rëndësishme, siç e kemi vënë re edhe në 5 vitet e kaluara, pasja e një strukture, një kornize strategjike për zhvillimin e organizatës. Është tepër e rëndësishme që kjo të mos mbetet thjesht një dokument, por të zbërthehet, ashtu siç është bërë edhe në fazën e kaluar, në plane konkrete pune të cilat shtrihen me afate 1–2 vjeçare dhe kështu me radhë, në mënyrë që dokumenti, siç e thashë, të mos mbesë në letër, por një plan konkret pune për zhvillimin e futbollit”, – tha Drejtori Administrativ, Aldi Topçiu.