Ka qenë një mbrëmje për t’u harruar për Strakoshën dhe Hysajn në Europa League, duke qenë se si Lacio, ashtu edhe Napoli, janë mundur nga kundërshtarët e tyre, edhe pse valenca e disfatës është ndryshe, pasi në rastin e bardhekaltërve, erdhi në transfertë dhe vetëm minimalisht 1-0. Ndërkohë, në “San Paolo”, djemtë e Sarrit kanë hedhur poshtë thuajse treçerekun e sezonit, duke u fokusuar kështu vetëm te titulli, sepse nëse goli i Onasit ishte një shenjë se diçka mund të ndryshonte dhe mund të synohej Europa League, kështu nuk ndodhi.
Lajpcig, një kundërshtar jo edhe aq i fortë, edhe pse ka befasuar këto dy sezone, ka shënuar tre herë, duke e bërë thuajse të pamundur kualifikimin në Gjermani, në një ndeshje kthimi ku Sarri do të bëjë rrotacion. Hysaj u vlerësua me notën 6,5, teksa ka qenë ndër më të mirët deri kur, në minutën e 54’, Rui i ka marrë vendin, duke u bërë pika më e dobët. Shkodrani u ruajt për kampionat. Dy herë Verner dhe Bruma shkaktuan disfatë dhe çuan në vërshëllima.
Ndërkohë, në Bukuresht, Strakosha dhe Lacio vazhdojnë periudhën e zezë dhe humbjen e tretë radhazi, duke pësuar gol nga Gnohere që në pjesën e parë dhe pa reaguar. Portieri shqiptar nuk ka faj te golat e pësuar, duke parë se e gjen sulmuesin e Steuas të vetëm. Nuk bën ndërhyrje tjetër.