Strakosha ka humbur vendi ne titullarit në portën e Lacios që pas afrimit të Pepe Reinas në kryeqytetin italian. Megjithëse erdhi për të rritur edhe më tepër gardianin kuqezi, spanjolli e ka lënë në stol këtë të fundit, duke marrë rolin e portierit të parë te bardhekaltrit. Çështja e katërkëndëshit të Lacios ka marrë një vëmendje të madhe në Itali, ku Inzagi tashmë e ka të vështirë të bëjë zgjedhjen e tij.
Në prag të takimit kundër Fiorentinës, një ish-portier i violëve ka folur mbi dilemën e madhe të këtij sezoni për Inzagin, që lidhet pikërisht me Strakoshën dhe Reinën. Sebastien Frei është shprehur se Lacio duhet të mburret me faktin se ka zotërim dy gardianë të tillë, pasi sipas tij është luks t’i kesh që të dy në të njëjtin ekip.
“Lacio mund të mburret me një dyshe të shkëlqyer portierësh, është një luks që të kesh si Reinan dhe Strakoshën në ekip. Tani po luan spanjolli, sepse ka përvojë të madhe”, ka thënë ndër të tjera Sebastien Frei./Halit Delibashi-Sport Ekspres/