Stoli i Kukësit mbetet bosh, kushtet janë të pamundura

Verilindorët kërkojnë pa fund, por pretendimet e larta të Kukësit nuk pranohen nga asnjë prej teknikëve që preferohen

Jurgen Zela

Kukësi kishte një afat për të gjetur trajnerin, por duket se jo gjithçka ka shkuar sipas llogarive të drejtuesve. Edhe pse pritej që ditën e djeshme të prezantohej trajneri i ri, nuk ka ndodhur kështu. Kanë qarkulluar emra pa fund në ditët e fundit, por kampionët kanë mbetur “thatë” dhe nuk po gjejnë dot gjuhën e përbashkët me asnjë nga trajnerët që kanë kontaktuar.

NUK KA MARRËVESHJE – Asnjë prej teknikëve që ka kontaktuar Kukësi nuk e ka marrë përsipër drejtimin e skuadrës me kushtet që vendosin kampionët. Drejtuesit verilindor janë të prerë dhe nuk i ulin aspak pretendimin, teksa synojnë ende që të rikthehen në garën për titull, pavarësisht se janë plot 12 pikë pas kryesuesve të Skënderbeut dhe i kanë humbur të dyja takimet direkte me korçarët. Natyrisht që nuk është aspak e lehtë që një trajner të marrë mbi supe të gjithë faturën në fund nëse nuk arrin objektivat, duke ditur se kampionati për të do të fillojë në janar dhe do të jetë i kushtëzuar për të ndërtuar skuadrën në një kohë rekord dhe të rikuperojë gabimet e bëra deri më tani. Kukësi kërkon jashtëzakonisht shumë, duke parë dhe gjendjen e skuadrës, ku ka shumë largime dhe ende nuk ka asnjë lojtar të afruar. Ekipi nis përgatitjet me 4 janar dhe kuksianët janë nuk janë askund me përgatitjet.

PRESIONI – Pretendimet e mëdha që ka Kukësi nuk janë vetëm në kufijtë e aludimeve, pasi “Sport Ekspres” ka kontaktuar dhe një prej kandidatëve, që ka zbuluar faktin se Kukësi kërkon që trajneri i ri të rikthejë suksesin si me magji. Ja se si shprehet një prej kandidatëve që nuk ka arritur që të gjejë gjuhën e përbashkët me Kukësin: “Ka shumë vështirësi për të krijuar një ekip sipas pretendimeve te zyrtarëve të Kukësit. Procesi i bërjes së ekipit të madh kërkon shumë punë dhe më shumë durim, çka këtë nuk e kanë zyrtarët e klubeve në Shqipëri, prandaj është shumë e vështirë për çdo trajner e sidomos për trajnerët nga Kosova, të cilët mund të drejtojnë Kukësin, por dhe klube të tjera në Shqipëri me më shumë suksese se sa trajneri paraprak”, përfundon trajneri i cili ka pasur kontakte me klubin e Kukësit. Me Milinkoviç fatura ishte shumë e kripur dhe sipas informacioneve tekniku serb kishte kontratën më të majme që kishte pasur ndonjëherë një trajner te Kukësi. Tashmë kampionët do të tregohen të kujdesshëm dhe në këtë pjesë për të mos bërë një tjetër “autogol” ekonomik. Te Kukësi janë në luftë me kohën, për të gjetur trajnerin e ri e për t’ia nisur nga puna.

Dështojnë negociatat me boshnjakun Haxhibegiç
Nga Spanja në Kroaci, Bosnje, Maqedoni, Kosovë dhe Gjermani, në Kukës kanë kontaktuar aq shumë trajnerë në ditët e fundit sa nuk do ishte çudi që nëse i numëronin të thyenin ndonjë rekord. Nga mëngjesi deri në darkë, ai emër që del në mëngjes është harruar në perëndim, kjo pasi te Kukësi nuk po e gjejnë atë që kërkojnë. Dy ditë më parë drejtuesit e Kukësit konfirmuar vetë që ishin në bisedime me dy spanjollë dhe një kroat, por njëkohësisht po lëviznin në krahun tjetër me një boshnjak. Deri në mesditë presidenti Safet Gjici ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me boshnjakun Faruk Haxhibegiç. Mësohet se trajneri i cili ishte përfolur dhe pak ditë më parë ka qenë shumë pranë stolit të Kukësit, por negociatat kanë dështuar në momentin e fundit. 60-vjeçari nuk ka rënë dakord me klubin e Kukësit dhe më pas gjithçka ka mbetur e “ngrirë”, kur dhe vetë drejtuesit po mendonin që ta prezantonin si trajnerin e ri. Te Kukësi tashmë ja nisin sërish nga e para, kontaktojnë pa fund dhe më pas del një tjetër emër i ri në skenë. Duket e kotë që tashmë të përmenden emra, pasi duket qesharake që të numërojmë çdo emër që kalon nga zyrat e klubit të Kukësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *