“Stërvitje në gropë balte”, norvegjezët ankohen dhe preferuan bar artificial!

“Stërvitja e përfaqësueses së Norvegjisë në futboll është zhvilluar sot në këtë stadium të Tiranës…”. Kjo është diçitura që shoqëron një fotografi me futbollistët e norvegjisë teksa stërviten në “Selman Stermasi” dhe terreni duket i katandisur si mos më keq… Praktikisht, një fjali për t’i dhënë të gjitha, teksa futbollistët e Norvegjisë dalin nga tuneli dhe shohin se çfarë i pret, natyrisht që më pas duken edhe të pakënaqur, ashtu si edhe trajneri Lagerbak, edhe pse ai e di mirë motin në Shqipëri në këtë periudhë dhe sidomos se çfarë do të thotë.

Në fakt, ishte ai në pankinën e Islandës në 10 shtator të vitit 2013, teksa një fitore mes shiut dhe në një “Qemal Stafa” të kthyer në një pellg, bëri që ishullorët të shkonin në play-off të Botërorit 2014, për të mos u kualifikuar më pas. Shumë vite kanë kaluar nga ajo kohë, natyrisht, por që Lagerbak e mban mend shumë mirë. Ndoshta i është kujtuar edhe në “Selman Stermasi”, teksa shtypi nordik nuk kurse edhe kritikat, duke u shprehur se kushtet janë mizerabël.

Normalisht, fusha e kryeqytetit në pak ditë ka parë të luhen ndeshjet e kampionatit shqiptar, si Partizani-Flamurtari, ndërsa më pas ishte radha e U-21 të Alban Bushit ndaj Sllovakisë dhe koha e keqe dhe rreshjet e dendura të këtyre ditëve kanë ndikuar jashtë mase.

“Do të preferoja të stërvitesha në një fushë artificiale se sa në këtë terren”, u shpreh pas stërvitjes së djeshme Mark Henriksen, ndërsa edhe futbollisti i Selltik Gllasgout, Kristofer Ajer shton: “Po stërvitemi në një grope më baltë”. Sigurisht, megjithatë, zgjedhja është bërë nga vetë Norvegjia, që duke ditur udhëtimin e gjatë që ka pasur, ka zgjedhur që të stërvitet në kryeqytet dhe jo në “Elbasan Arena”, pasi bëhet fjalë për 50 kilometra rrugë, duke qenë se rezidenca e tyre është në Tiranë.

Në fakt, Lagerbak dhe të tijtë mbërritën në Tiranë të shtunën në mbrëmje, pasi menjëherë pas miqësores së fituar 4-1 ndaj Australisë, u nisën drejt Shqipërisë. Më pas, megjithatë, Ajer shton: “Sa mirë që ndeshja nuk do të zhvillohet këtu”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *