Ekipi i Vllaznisë i është rikthyer pasditen e sotme procesit stërvitor duke nisur kësisoj përgatitjet për ndeshjen e së shtunës me Flamurtarin. Por përpara fillimit të saj, në kuadrin edhe të Protokollit të shpërndarë nga Federata Shqiptare e Futbollit për të gjithë klubet e futbollit në lidhje me masat që ata duhet të marrin për procesin stërvitor për të bërë të mundur parandalimin dhe përhapjen e virusit COVID-19, është bërë një plan pune që është ndjekur nga pjestarët e stafit mjekësor, Ilirjan Haxhaja dhe Redis Mesi.
Ata kanë zbatuar të gjithë masat që duhen ndërmarrë për një rast të tillë duke filluar që nga dezinfektimi i dhomave të zhveshjes dhe ambjenteve të tjera të fushës ku ekipi ka zhvilluar stërvitjen. Po ashtu, është bërë edhe vendosja e dezinfektuesve të duarve në të gjithë këto mjedisë ndërkohë që stafi është paisur me maskat dhe dorezat e duhura. Pjestarët e stafit mjekësor u kanë shpjeguar lojtarëve dhe stafit teknik edhe njëherë tjetër masat që duhen ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, historinë e këtij virusi dhe po ashtu i kanë udhëzuar se çfarë duhet të bëjnë për mbrojtjen prej tij.
Më pas, është vijuar me matjen e temperaturës për të gjithë pjestarët e skuadrës teksa të gjithë kanë rezultuar me temperaturë normale- 36 gradë. Ndërkohë duke fillur që sonte dhe për të vazhduar nesër në orën 10.00, të gjithë pjestarët e ekipit do të jenë sërish në qendrën e rehabilimit të klubit për të marrë matjen e temperaturës me kamerë termike dhe po ashtu edhe testin e frymëmarrjes. Në këtë mënyrë, do të veprohet edhe me të gjithë ekipet e tjera të cilët vërtetë është shumë e rëndësishme që të mos privohen nga procesi stërvitor, por duhet të bëjnë maksimumin e kujdesit për evitimin e këtij virusi. Pas gjithë këtij procesi, ekipi ka vijuar normalisht stërvitjen dhe gjithçka ka shkuar ashtu si duhet.