Stërvitja misterioze, varianti i fundit dhe janari! Të gjitha rrugët e çojnë Arlind Ajetin te Tirana

Një mbrojtës i Kombëtares do t’i bashkohet Tiranës gjatë janarit! Njoftimi është dhënë javë më parë, ndërsa u zbulua se bëhej fjalë për Arlind Ajetin. Ky i fundit vazhdon të mbetet pa skuadër dhe ka bërë gjysmë sezoni pushim, pasi nuk e kishte të mundur që të gjente një klub ku të tregonte vlerat, teksa e larguan nga Grashopërsi pas rënies nga elita e futbollit zviceran.

Sipas asaj që është mësuar, Arlind Ajeti e ka lënë derën e hapur për Tiranën, por me një kusht. Gjithçka duhej të zgjatej edhe për disa kohë, që mbrojtësi të kërkonte alternativa të tjera për të mbetur në elitën e Europës.

Por në një kohë që nuk ka asnjë lajm rreth merkatos së Ajetit, madje duke iu rrëzuar edhe pista Tramezzani që u përmend më herët për në Serinë B, varianti i Tiranës mund të rezultoi edhe si i pari, megjithëse u la për të fundit. Gjithashtu mediat polake kanë shkruar se ky mbrojtës është stërvitur te Tirana, por bëhet fjalë për një nxehmje muskujsh misterioze pasi askush prej mediave shqiptare nuk e ka parë një gjë të tillë. Teksa ditët kalojnë dhe afrohemi në merkaton e janarit, me një situatë që te bardheblutë ka ndryshuar tërësisht për mirë me Egbon në krye, nuk duhet të habitemi edhe nëse vjen një zyrtarizim i madh nga ana e presidenti Halili. /Sport Ekspres/