“Sport Ekspres” publikoi ditën e hënë lajmin se drejtuesit italianë të Partizanit janë larguar, pasi ka pasur debate dhe mosmarrëveshje brenda klubit, duke bërë që të ftohen marrëdhëniet deri në atë pikë sa Moxhi të mos kthehet më.
Nga Partizani askush nuk konfirmoi gjë dhe pati edhe përgënjeshtrim për gazetën, por në “Procesi Sportiv” Sulejman Starova zbuloi gjithçka, pa dashje.
Duke folur për këtë çështje, ish-trajnerit të Partizanit i thanë se lajmi i publikuar nga gazeta ishte zyrtar, i konfirmuar nga klubi, ndaj Starova, duke e marrë për të vërtetë, deklaroi: “Nëse më thoni që klubi ka konfirmuar largimin e Moxhit, atëherë është e kotë që të mbaj sekrete, po them edhe atë që di unë. Moxhi më telefonoi dhe më tha se Olsi Rama nuk dinte gjë për mua, pavarësisht se nuk kishte shumë simpati për punën time. ‘Kështu si erdhi puna, do flas me presidentin dhe miqtë e mi në Tiranë dhe nuk kthehem më as unë’, më tha Moggi në telefon”.