Starova kundër Metës: I njëjti arbitër na dëmton sërish

Trajneri i Partizanit shpërthen në sharje kundër gjykimit, nuk lejohet të hyjë brenda. “E lexova qartë lojën, gjyqtarët ishin kundër nesh”

Nuk mund të kishte asgjë tjetër përveç se nerva trajneri i Partizanit, Sulejman Starova. Një humbje e papritur, për mënyrën se si shkoi loja dhe rrjedha e ndeshjes djeg shumë në kampin e kuq. 62-vjeçari e ndoqi takimin në një nga dhomat e stadiumit. Pas ndeshjes, numri një i stolit të kuq ishte i tërbuar. Ai tentoi të futej në dhomat e zhveshjes për të takuar gjyqtarët, por nuk u lejua nga Policia. Starova shpërtheu në të shara kundër treshes gjykuese. Revoltimi i tij ishte i pritshëm dhe u desh ndërhyrja e drejtuesve të tjerë të klubit për ta qetësuar. Ishte ish-zyrtari i kuq Edmond Haxhija që e largoi atë nga stadiumi. Starovën nuk e zinte vendi, ndërsa nuk ndante cigaren nga goja.

PRONONCIMI – Starova foli pasi iu kërkua me ngulm të nxirrte disa fjali. Ai sulmon hapur gjyqtarin Meta. “Takimin e lexova nga ana teknike që në pjesën e parë, ku gjyqtari na mbyti me kartonë të verdhë. E keni të regjistruar. Një aksion që thyhet me qëllim shoqërohet me karton të verdhë, por ai nuk dha asgjë. Pas pjesës së parë u lexua qartë që arbitri ishte kundër nesh nga standardi i faulleve dhe ndëshkimeve. Ky është ai që na anuloi golin në Vlorë, ky është ai i rastit të Shkodrës në vitin e kaluar. Mos harroni se edhe vjet ndaj Kukësit në ‘Elbasan Arena’ ishte po ky anësori i sotëm që anuloi golin e Ekubanit. Gjithandej po të kërkosh, ky anësori Rexha del protagonist. Se kuptoj pse e arbitrojnë Kukësin kaq shumë këto gjyqtarë”, – shprehet Starova duke hedhur direkt dyshime për marrëdhënien e Metës me klubin e Kukësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *