Superiorja do të nisë këtë fundjavë dhe Kukësi do të ketë përballë në javën e parë ekipin e Egnatias. Verilindorët kanë bërë një investim të madh në merkato, ku ndryshimi ka ardhur që nga kreu i pankinës, në të cilën tashmë ulet italiani Longo. Safet Gjici ka dhënë një prononcim për të folur mbi sezonin e ri të Kukësit. President i Nderit të këtij klubi duket optimist se stadiumi i ri do të ndihmojë në rezultatet pozitive të skuadrës. Gjici thekson se investimet janë bërë dhe i lë gjithçka në dorë trajnerit dhe lojtarëve për të siguruar titullin kampion.
“Çdo gjë lidhet me stadiumin. Ne besojmë fort se në fund të muajit shtator do të mbyllet përfundimisht stadiumi dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme për Kukësin, për kuksianët, për tifozët, sepse është një investim afro 10 milionë euro. Një investim gjigant. Ka dalë një stadium me të gjitha parametrat dhe standartet e UEFA-s.
Klubi ka bërë investime të mëdha në fakt, edhe në ndërtimin e ekipit. Kemi marrë një trajner të mirë. Mbase nuk ka qenë trajner i ekipeve të mëdha, por ka qenë zëvendëstrajner i ekipeve të mëdhaja. Ka punuar me një trajner shumë të madh që tashmë njihet në gjithë Europën. Besoj se ka ndërtuar një ekip për të konkuruar denjësisht në kampionatin shqiptar. Padiskutim që konkurrenca është e fortë.
Pra investimi është bërë. Janë blerë shumë lojtarë. Tani mbetet në dorë të lojtarëve dhe stafit teknik për të marrë rezultate të mira dhe për të shkuar atje ku ka objektivin Kukësi, te titulli kampion. Çfarë ka kërkuar, me sa kam dijeni unë, trajner dhe stafi teknik, i është plotësuar kërkesa. Madje, madje kanë kërkuar edhe autobus. Klubi besoj se do ia plotësoj kërkesën e një autobusi të ri dhe pastaj kompletohet në tërësinë e vetë klubi i Kukësit.
Besoj se me rikthimin e Kukësit në Kukës do jëtë një vlerë e shtuar për tifozët. Ata kanë 3 vite që s’e ndjekin Kukësin, sepse tifozët kuksianë janë ta varfër për ta ndjekur skuadrën atje ku ka luajtur”, ka deklaruar Safet Gjici./Sport Ekspres/