Ka futbollistë që flasin me shumë nga ç’duhet, shpesh për faktin se luajnë pak dhe nga inati nxjerrin sekretet e klubit. Një i tillë mund të jetë Lukas Moura, i cili konsiderohet spiuni i PSG-së, sipas historisë që ka publikuar sot Le Parisien. Gazeta franceze ka zbuluar një prapaskenë merkatoje vërtet interesante: braziliani shkoi te Totenhemi sepse ishte ai spiuni që nxirrte gjithçka ndodhte në dhomat e zhveshjes të PSG. Fliste me gazetat, tregonte sherret e diskutimet gjatë apo pas ndeshjeve, zbulonte polemikat apo pakënaqësitë në skuadër. Më pak fjalë, shkelte rregullin numër 1 në futboll: çfarë ndodh në dhomat e zhveshjes, qëndron aty.
Sipas Le Parisien, ashtu si Lukas Moura vepronte edhe Hatem Ben Arfa, por Fantazisti ka qëndruar në Paris, por është paralajmëruar. Në këtë mënyrë, edhe skuadra është qetësuar, të paktën derisa të dalin sekrete të reja, si ato mbi klauzolat idiote në kontratën e Nejmarit, i cili duhet të gjuajë vetë çdo penallti e faull dhe nuk duhet të preket në stërvitje, se mos dëmtohet.