Dy prej kombëtareve më të forta në botë, Gjermania e Spanja, kanë barazuar 1-1 në miqësoren e luajtur sot në Dyseldorf. Në një ndeshje plot emocione dhe që i zbaviti tifozët, Spanja shënoi e para me anë të Rodrigos, por kombëtarja gjermane u përgjigj me një supergol nga Tomas Myler.
Trajneri Joakim Lëv hodhi në fushë një formacion me skemë 4-2-3-1, me Draksler që gjeti vend nga minuta e parë, ndërsa Kedira ishte kapiten.
Trajneri spanjoll Lopetegui befasoi me zgjedhjen në sulm, ku Rodrigo Moreno e nisi nga fillimi, në vend të Diego Kostës, zgjedhje e drejtë, duke parë që pikërisht Rodrigo shënoi golin e avantazhit që në minutat e para. Gjithsesi, në minutën e 35-të Myler shënoi një gol fenomenal dhe ndeshja nuk prodhoi më gola, edhe pse loja e bukur dhe rastet nuk munguan.