Kukësi është pa asnjë dyshim skuadra më në formë e Superiores në vitin e ri, duke gjykuar nga ajo që po bën në Turqi. Pas dy fitoreve rresht ndaj skuadrave me emër në Suerligën turke, sot kampionët në fuqi ndalën te barazimi Fenerbahçen, ose më saktë Fenerbahçe ndali Kukësin. Në pjesën e parë skuadra e drejtuar nga Peter Pakult bëri “çmendurinë, duke shënuar dy herë në pjesën e parë. Kampionët e vendit kanë ndëshkuar vendasit me anë të Bakajt dhe Idrizit. Fillimisht ishte Bakaj që falë meritës personale arriti që të shënonte një supergol nga jashtë zone. Vetëm pak minuta më pas ishte Bujar Idrizi, i cili realizoi dhe golin e dytë. Pas ekzekutimit të një goditje dënimi lojtarët e Fenerbahçes nuk larguan dhe Idrizi u tregua i saktë. Kukësi mund të kishte shënuar dhe golin e tretë me anë të Kalesë, i cili shmangu dhe portierin, por në momentin e fundit gaboi.
Shameti shkakton një 11-metërsh, i cili shndërrohet në gol nga vendasit, me Xhulianon që nuk gaboi. Më pas raste nga të dy krahët, lojë e fortë dhe e bukur dhe Kukësi po shkonte drejt fitores, por në shtesë një 11-metërsh shumë i dyshimtë për Fenerbahçen bëri që të niste sherri në fushë e në bankina, aq sa kaluan shumë minuta derisa u kthye qetësia. Sulmuesi Fernandao barazoi, ndërsa në minutat e mbetura nuk pati më gol, edhe pse Kukësi rrezikoi sërish me Musollin.