Speciale/ “Zoti përballë ushtarëve”! Ja ku e ngatërrojnë Egbon, Sormani e do “fitore italiane” në derbi

Derbi i nesërm mes Tiranës dhe Partizanit mund të quhet edhe ndryshe si përballja mes “Zotit dhe ushtarëve”. Me ardhjen e Egbos në krye të Tiranës, duhet të theksohet se te bardheblutë janë bërë të gjithë më supersticioz, duke pasur më tepër besim tek mrekullitë.

Të ndikuar padyshim nga trajneri i parë, që është mjaft i dhënë pas besimit. Disi qesharake e morën në fillim, por në këtë mënyrë nga 11 ndeshjet e zhvilluara deri tani, janë marrë 10 fitore dhe 1 barazim. Pra, maksimumi i mundshëm dhe për më tepër disa triumfe kanë ardhur në minutat e fundit, atëherë kur askush nuk e priste.

Por ajo që harrohet dhe anashkalohet, është mënyra sesi Egbo e transmeton frymën e besimit të tij në Zot te Tirana dhe që kjo përkëthehet në rezultate pozitive. Disa analistë dhe trajnerë kanë thënë se te bardheblutë po fitojnë vetëm me Zotin. E megjithatë besimet janë në dy lloje të ndryshme: “Duke ngritur duart nga qielli dhe duke pritur mrekullinë, ose duke punuar fort dhe duke u lutur që të arrihet ajo që dëshirohet”.

Egbo i përket kësaj të fundit, ndërsa gjithmonë në intervista shprehet: “U them lojtarëve që ju vetëm jepni 100% në fushë, këtë bëni. Pastaj dikush nga lart do ju shohi dhe do ju japi atë që meritoni në ndeshje, vetëm sakrifikoni dhe luftoni”.

Pra nuk ka më futbollistë që shëtisin fanellën në fushë dhe të dorëzohen para kohe, por që luftojnë në çdo minutë, duke qenë të bindur për rezultatin pozitiv. E kur fitoret vijnë në minutat e fundit me përmbyje, kjo kthehet në psikologji të fortë dhe besim të patundshëm.

Nga krahu tjetër është Partizani, më tokësor dhe me futbollistët që dëshirojnë të jenë ushtar të fanellës dhe stemës së klubit, me në krye Bruno Telushin. Pavarësisht se ky i fundit e quan veten si një prej ushtarëve të tjerë, po arrin që ta marrë përdore Partizanin në takimet e fundit.

Sormani e do një fitore italiane me çdo kusht ndaj Tiranës. Nuk ka rëndësi mënyra, nëse është “fitore e pistë” apo jo, qoftë edhe me një goditje në portë apo edhe një penallti të dyshimtë, mjafton që Partizani të ketë një gol më shumë se bardheblutë në fundin e takimit. Pasi në rast të një dështimi, atëherë besimi nga tifozët do të binte tërësisht ndaj trajnerit italian. Fitorja në derbi duhet të arrihet me çdo kusht dhe me të gjitha mënyrat, prandaj ajo e taktikës italiane duket të jetë më e mira për të ndodhur bazuar te Sormani. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *