Speciale/ Pyetja më naive që vazhdon të shtrohet te Tirana, mesazhi i Egbos që nuk po e kupton…askush!

Që nga koha kur Egbo erdhi te Tirana, në derbin e mëparshëm ndaj Partizanit e deri tani, bardheblutë nuk e njohin më humbjen. Njeriu që drejton bardheblutë ka edhe një lidhje të madhe me besimin fetar, ndërsa të gjitha meritat për sukseset e arritura ia lë…Zotit!

Por në studio televizive vazhdon të shtrohet e njëjta tezë dhe pyetje naïve: “Po mirë, nuk paska patur besimtarë të tjerë më parë Tirana? Ku ishte Zoti me ata trajnerët e tjerë?”. Një pyetje që duket në pamje të parë që nuk mund t’i jepet një përgjigje, por në fakt nuk gjen aspak vend.

Kjo pasi Egbo nuk është një besimtar që ngre duart lartë në qiell duke pritur që prej andej të bien dhurata. Ky nuk është besimi, ashtu siç të tjerët e kuptojnë. Besimi i Egbos është për t’i bërë gjërat në mënyrën më të duhur të mundshëm, për të mbyllur të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë, e më pas për t’u lutur që gjithçka të shkojë mirë, pasi puna është kryer.

Këtu flitet për lojtarët që tashmë po luajnë në pozicionet e tyre natyrale dhe nuk po eksperimentohet më si dikur. Këtu flitet për shpirtin e sakrificës dhe bashkëpunimit mes lojtarëve, që është rritur ndjeshëm nga më parë. Këtu flitet për futbollistët që po e kthejnë në psikologjinë e tyre se ndeshja nuk ka përfunduar edhe nëse janë duke humbur deri në minutat e fundit, pasi arbitri nuk ka vërshëllyer.

Pra pasi puna është bërë dhe filozofia është përcjellë në kokën e lojtarëve, atëherë pritet nga fati. Edhe ky i fundit i është përgjigjur jo pak deri tani Tiranës. Një makineri mund të ndërtohet në përsosmëri, por jo në pak raste kemi parë kur ekipi që dominon lojën të dalë me 1 pikë në rastin më të mirë nga fusha.

Ndërsa te bardheblutë nuk mund të harrohet ende ajo përmbysje ndaj Kukësit, që nisi me një supergol të Bathës, ku nëse do të provohej edhe me dhjetra herë të tjera, në pak raste topi mund të përfundonte në rrjetë.

“Ju nuk do e kuptoni dot edhe po t’ua shpjegoj unë. Te Tirana ka pasur edhe trajnerë të tjerë, por unë jam Egbo. E keni të pamundur që ta kuptoni. Emanuel është një emër i shenjtë dhe do të thotë: “Zoti është me ne”, do të shprehej trajneri i Tiranës në ndeshjen e fundit. Pra te bardheblutë ka pasur më herët besimtarë, por që luteshin vetëm në momentet më të këqija dhe eksperimentonin me formacionet dhe lojtarët, e që njëkohësisht nuk arrinin që të gjenin frymën e bashkëpunimit mes lojtarëve.

Në këtë rast, mund të thuhet me siguri se Zoti nuk e ka fuqinë që të dërgojë vetë topin në rrjetë. E një tjetër pjesë për t’u mos harruar është dëmtimi i lojtarëve. Egbo ka fatin që të ketë në prapavijë një Gentian Muça të pakalueshëm që asnjë trajner tjetër nuk e kishte luksin që të luante me të për shkak të dëmtimeve. Por me Egbon në krye, Muça ka munguar vetëm njëherë për viroza dhe në atë rast Tirana do të ndalej për herë të parë ndaj Skënderbeut në shifrat 1-1. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *