Ndoshta lojtarët nuk e kanë fort me qejf, mjafton të kujtohen kartonët e marrë nga Pike e David Silva, që si rastësisht mungojnë për pezullim, por Spanja nuk luan për qejf sot në Izrael.
Edhe pse e kualifikuar dhe fituese e grupit tonë duke dominuar, “La Furia Roja” ka nevojë për një fitore. Arsyeja? Renditja botërore e FIFA-s.
Aktualisht Spanja është në fashën e dytë në vazot e shortit për Botërorin 2018, duke qenë e 11-ta në botë, por nëse fiton sot, mund të shkojë deri në vendin e shtatë, natyrisht duke shpresuar një kombinim të favorshëm në ndeshjet e tjera.
Nëse kap vendin e shtatë, Spanja bëhet kokë serie në Botëror dhe kjo ka shumë rëndësi, pasi edhe tradita flet qartë: në historinë e Botërorëve (prej 1974 realisht, kur nisi të aplikohej ndarja në seri), vetëm Holanda, finaliste humbëse më 1974, dhe Argjentina triumfuese e Botërorit 1986 nuk e nisën kompeticionin si koka serie.
Një fitore e Spanjës i bën nder edhe Shqipërisë, që do të ruante vendin e tretë edhe nëse humbet sot.