Më së fundi u zhbllokua për këtë vit. Nuk e kishte bërë sefte për këtë vit Ali Soue dhe dje shënoi dy gola. Pas fitores ndaj Teutës, sulmuesi i Skënderbeut u shpreh: “Kualifikimi ka më shumë rëndësi se golat që shënova, por mbi të gjitha rëndësi ka shëndeti i shokut tonë. Ai dëmtim që pësoi na ka tronditur të gjithëve dhe jemi me të në këto momente. Presim lajme të mira dhe e mbështesim në çdo moment, që të kthehet më i fortë se më parë. Kemi një objektiv dhe e dimë që ai do të jetë në fushë për të luftuar së bashku me ne.
“Mund të them se kualifikimi na kënaq dhe na bën të ecim përpara në një tjetër objektiv që na ka caktuar klubi. Është bukur të jesh pretendent në të dy kompeticionet dhe për këtë meritë ka i gjithë grupi, që ka ditur të përballojë ngarkesën e ndeshjeve deri në këtë pikë. Jemi të bindur dhe të vetëdijshëm se duke qenë të përqendruar, mund të vazhdojmë përpara me këtë ritëm. Golat nuk më shqetësonin aspak, sepse sikundër e kisha thënë, ishte çështje kohe, ndërsa e rëndësishme është që fitojë ekipi.
“Në një farë mënyre, ky dygolësh është një lehtësim për mua në mënyrë, që më bën më të lumtur. Mbi të gjitha vlejnë rezultatet e grupit dhe pastaj loja dhe golat e mi. Por nuk diskutohet, një sulmues matet me gola dhe kjo është normale. Shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm për t’u mbyllur gojën të gjithëve që nuk besonin tek unë. Golat e sotëm ua dedikoj shokëve të ekipit, Jashanicës në veçanti, që e presim më të fortë se më parë.”