Si rrallëherë më parë dhe ndoshta prej vitesh, Partizani ka dalë në një deklaratë për shtyp kundër arbitrave në Superiore. Pas humbjes në derbi me Tiranën në shifrat 5-1, klubi i shtyrë dhe nga shifrat e thella, e ka gjetur në këtë mënyrë kalimin e përgjegjësisë.
Por sigurisht që pavarësisht mënyrës së arbitrimit në këtë përballje, 5 gola të pësuara dhe për më tepër në një derbi, bën që tifozët të kërkojnë një shpjegim më tepër nga ana e klubit të tyre, për mënyrën sesi është menaxhuar ndeshja.
Për ta nisur që më sulmuesit kryesor të ekipit, që nuk kanë arritur që të nxjerrin më shumë se 2 gola në gjithë kampionatin. Bitri përsërit gabime në momente vendimtare dhe që lënë shumë gjurmë, por nga ana tjetër edhe te Telushi që pritej shumë në derbi, e nuk ngurron dy herë për të bërë sparkata në zonë. Shumë të mëdha parash që marrin lojtarët e huaj, por besimi nuk po shpërblehet. Pa harruar këtu edhe rastin e Esat Malës, që për çështje krenarie po digjej në ekipin e dytë, duke i ulur një vlerë të madhe skuadrës dhe do të rikthehej në momentin më të vështirë, atëherë kur nuk kishte një tjetër zgjidhje.
Pra te Partizani janë shumë diskutime që kërkojnë përgjigje dhe humbja në derbi vjen pas eliminimi në Kupë ndaj Besëlidhjes, por edhe një serie rezultatesh me shije të hidhur. Nuk bëhet fjalë për rastësi, por për një moment që kërkon autokritikë.
E për t’iu kthyer çështjes fillestare, Sormani do të thyente për herë të parë premtimin e tij që nga rikthimi te Partizani. “Nuk do të më shikoni kurrë këtu duke folur për arbitrat, shihni ju pamjet dhe gjykojini vetë. Unë nuk do e komentoj kurrë punën e tyre”, kështu do të shprehej Sormani, teksa në studion e “Supersport” e kanë ngacmuar shpeshherë për t’i nxjerrë ndonjë fjalë më tepër.
Asnjë fjalë e thënë pavarësisht humbjeve të marra dhe dëshpërimit në kampin e kuq, për t’i qendruar stoik fjalës. Por rregullat janë bërë për t’u thyer dhe 5 golat e pësuar në derbi, ndikuan që trajneri italian të shpërthente. Madje në të vetmin rast që foli, ka nxjerrë shumë fjalë, ndoshta edhe për rastet e mëparshme që nuk kishte zgjedhur të komentonte.
“Manipulim” ia vuri emrin Sormanit asaj që ndodhi ndaj Tiranës, për t’ia kaluar në këtë mënyrë faturën arbitrit, pavarësisht se zëvendësimet dhe hedhja e lojtarëve në fushë nuk qëlloi e goditur. Për një moment, sjellja dhe mënyra e së shprehjes së Sormanit, na solli ndërmend edhe Skënder Gegën.
Rregulli i parë që vendosi trajneri shqiptar që nxorri kampion Partizanin që nga ardhja e tij ishte: “Mos u merrni kurrë me arbitrin, të gjitha problemet do t’i zgjidhim mes vetes”. I ndërgjegjshëm se situata të tilla sjellin vetëm alibi në skuadër dhe me lojtarët që do e gjejnë gjithmonë justifikimin pas një dështimi, Gega evitoi gjithçka në këtë mënyrë. Asnjëherë nuk e ka thyer fjalën e tij, duke mos u marrë me arbitrimin dhe Partizani do të arrinte në rrugën e duhur për t’u shpallur kampion. E deklarata të tilla si ajo e fundit e të kuqëve duke fajësuar arbitrin, vijnë në vazhdën e së njëjtës sjellje që ka bërë Bylisi, Luftëtari dhe të tjera skuadra. Pra duke ushtruar një presion të madh te ndarja e drejtësisë në fushën e lojës, ndërsa “aroma e fundit të kampionatit” po ndihet gjithmonë e më tepër, duke pasur prezent edhe tensionin. /Sport Ekspres/