Sot në mbrëmje do të luhet përballja e kampionëve në fuqi të botës kundër Shqipërisë, që do të ketë një rëndësi të madhë për të dyja Kombëtaret. Franca dëshiron të vendosë qetësinë në grup, ndërsa kuqezinjtë dëshirojnë të mos bëjnë një hap negativ, në mënyrë që të mbajë ende gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm.
Rol të madh pritet të luajë edhe tifozeria në këtë ndeshje, teksa “Stade de France” do të jetë i tejmbushur, me rreth 80.000 bileta të shitura. Mbështetje nga shkallët e stadiumit do të kenë edhe lojtarët e Rejës, pasi tifogrupi “Tifozat Kuqezi” ka konfirmuar prezencën në Francë, me 500 anëtarë të tyre që kanë rezervuar një vend për këtë sfidë. Ndërkohë pritet që numri i mbështetësve shqiparë në “Stade de France” të jetë rreth 1000.
Megjithëse shumë herë më të paktë në numër se vendasit, tifozët e Kombëtares nuk e kanë braktisur as këtë herë ekipin e kuqezinjve, duke vazhduar ta mbështesin edhe në transferta të tilla të veshtira./Sport Ekspres/