Fidan Aliti ka dhënë një intervistë të fundit për “Supersport”, për të folur rreth Kosovës, eksperiencës së tij te Kalmari, por njëkohësisht edhe duke prekur pjesën e Skënderbeut. Mbrojtësi shqiptar është shprehur se Bregu i zotëron të gjitha aftësitë për të qenë pjesë në kampionatin suedez. Ndërkohë fokusimi kryesor mbetet padyshim ajo ndeshje gjysmëfinale ndaj Maqedonisë së Veriut ku do të diskutohet bileta e Europianit.
“Liga e Kombeve? Tani e kam mendjen te Maqedonia dhe të shkojmë në Europian, pastaj të shohim. Do të jetë ndeshje shumë e rëndësishme me Maqedoninë dhe shpresoj të ketë tifozë, pasi me ta është i bukur. E patë edhe në Angli që “dardanët” dëgjoheshin më shumë se vetë anglezët. Kështu mund të jetë edhe në Maqedoni.
Sa i përket karrierës personale, te Kalmari nuk kam kaluar një sezon të parë të mirë. Kam marrë edhe oferta, por jo ato që prisja. Skënderbeun vazhdoj ta ndjekë për respektin që kam për familjen Takaj e të gjithë Skënderbeun. Shpresoj që atë të dalin kampion edhe për këtë vit, megjithëse e di se do të jetë shumë e vështirë. Bregu ka shumë cilësi të mira për të luajtur edhe në kampionatin suedez. Situatën nuk e njoh, por cilësitë i zotëron për të qenë këtu”, tha Aliti. /Sport Ekspres/