Skënderbeu do të ketë mungesa në ndeshjen e së enjtes në Europa League. Janë tri mungesa të sigurta dhe konkretisht Enis Gavazaj, kosovari do të vazhdojë të mungojë, edhe pse ka ditë që ka mbërritur në Korçë, por nuk ka filluar stërvitje me grupin, Nimaga dhe Nespor. Lojtari nga Mali ka rreth 10 ditë që nuk zhvillon asnjë seancë stërvitore me grupin, pasi vazhdon të ndjejë dhimbje në kavilje e deri të enjten nuk bëhet. E treta është mungesa e Martin Nesporit, sulmuesit çek që ka një javë që ndodhet në Gjermani për terapi. Dje duhej të kthehej në Korçë, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Edhe nëse mbërrin sot, do ta ketë të pamundur të jetë në dispozicion të trajnerit Ilir Daja dhe në këtë mënyrë është mungesë e sigurt për Skënderbeun.
Për ata që munguan ndaj Lushnjës në ndeshjen e fundit të Superligës duhet thënë se të gjithë janë kthyer me grupin. Tefik Osmani nuk ndjen më dhimbje dhe pritet të enjten të jetë në fushë nga minuta e parë. Po ashtu, edhe Suad Sahiti dje ka zhvilluar një seancë normale dhe është gati. Mungesat e Gavazajt dhe Nimagës janë të rëndësishme, por Skënderbeu e ka grupin për të qenë në nivelin e duhur të enjten në mbrëmje, duke sfiduar këtë herë Partizanin e Beogradit.