Skënderbeu prezanton Kaba Sambou: Luaj edhe në sulm, nëse më kërkohet

“Sport Ekspres” zbuloi në ditën e fundit të janarit afrimin e fundit dimëror të Skënderbeut dhe tashmë ai ka mbërritur në Durrës për t’u bashkuar me skuadrën e tij të re. Bëhet fjalë për futbollistin e kombëtares së Gambias Kaba Sambou, i cili luan si qendërmbrojtës dhe ka pranuar të firmosë për korçarët për 2.5 vite. Një investim për të ardhmen mund të quhet ky lojtar, për vetë faktin se Sambou vetëm në muajin prill mbush 22 vjeç dhe sigurisht që pritet që të jetë një blerje me shumë vlera për bardhekuqtë. Ditën e djeshme që ishte edhe dita e fundit e përgatitjeve anti-Vllazni, futbollisti nga Gambia është vënë nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja dhe sigurisht që nuk mund të jetë gati për ndeshjen e sotme në Shkodër. Gjithsesi për takimet në vazhdim lojtari në fjalë do të jetë gati për teknikun kryeqytetas dhe sigurisht që do të jetë një alternativë më shumë. Për vlerat e larta që ka ky lojtar pritet që shumë shpejt ai të kapë edhe vendin e titullarit, por që dje në deklaratën e tij të parë për mediat Sambou ka befasuar me fjalët e tij, teksa ka thënë edhe atë që mund të luajë si në mbrojtje por edhe në sulm. Skënderbeu e ka blerë si mbrojtës dhe zor se Daja do t’i ndryshojë vendin, por që gjithçka mund të ndodhë dhe Kaba Sambou pavarësisht se e bën shumë mirë sulmuesin, këtë më mirë se kushdo tjetër e vendos vetëm trajneri Ilir Daja.

DEKLARATA – Dje për herë të parë Sambou ka folur si bardhekuq. “Skënderbeu është një skuadër vërtet shumë e mirë dhe më bëhet qejfi që unë jam pjesë e këtij klubi. Ata që më sollën këtu te Skënderbeu kanë shumë besim te unë dhe u premtoj që do t’ua shpërblej. Tani nuk më ngelet gjë tjetër vetëm të punoj shumë. Nuk kam asnjë problem për të luajtur në çdo pozicion që do trajneri dhe unë do të jem në dispozicion të tij. Nëse do të më thotë të luaj në mbrojtje do ta bëj po kaq mirë edhe sikur të më thotë edhe në repartet e tjera, qoftë edhe në sulm. Personalisht jam në formë të mirë dhe gati për të luajtur me këtë fanellë.”

Këto kanë qenë fjalët e para si bardhekuq të Kaba Sambou blerjet së fundit dimërore të Skënderbeut, ndërkohë që ai premton se është për të fituar trofe te bardhekuqtë dhe mezi pret të ketë një prezantim në fushë së bashku me bashkëkombasin e tij Ali Soue: “Jam këtu për të fituar trofe dhe i etur për të fituar sa më shumë trofe me Skënderbeun. E njoh Ali Souenë si futbollist të Gambias, por më parë nuk më ka rënë rasti që të flas me të. Vetëm në Durrës jam takuar me të dhe kam folur, por di që është një futbollist shumë i mirë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *