Korçarët kanë mbërritur qysh dje në Antalia të Turqisë dhe siç dihet do të luajnë tre ndeshje miqësore tashmë të bëra zyrtare prej kohësh. Testi i parë do të jetë pikërisht ditën e nesërme, teksa përballë do të jenë turqit e Bursasporit. Skuadra turke pas fazës së parë në Turqi renditet në vendin e 9-të me 25 pikë dhe ka si objektiv kupat e Europës. Ky takim do të startojë në orën 14:00 me orën tonë dhe Daja pritet që të aktivizojë të gjithë grupin e grupin e futbollistëve që ka në dispozicion. Në pjesën e parë padyshim që do të jenë në fushë titullarët që kanë mbyllur edhe pjesën e parë të sezonit, ndërkohë që në të dytën të gjithë do të kenë hapësirë, gjë që do të ndiqet si praktikë pune edhe në testet e tjera miqësore. Pas kësaj miqësoreje të parë, e dyta do të luhet në datën 12 janar dhe përballë do të jetë po një ekip turk, por Beshiktashi, skuadër që ndodhet në vendin e 4-t të tabelës së klasifikimit, vetëm 6 pikë larg kreut. Dhe, për ta mbyllur me përballjen ndaj rumunëve të Vitorul Konstanca që luajnë në divizionin e parë në Rumani dhe pas 22 javëve të para renditen në vendin e gjashtë. Këto janë tre testet e Skënderbeut në Turqi, por që sigurisht gjithë vëmendja është te ndeshja e parë që do të luhet nesër dhe që Daja do të kërkojë së pari lojën nga të tijtë dhe më pas edhe rezultatin. Skënderbeu kujtojmë që është vetëm në momentet e para të startit të kësaj faze dimërore dhe futbollistët juglindorë nuk janë në formën e tyre më të mirë, gjë që në fakt duhet pranuar.
Tre miqësoret e Skënderbeut në Turqi
Nesër Bursaspor – Skënderbeu ora 14:00
12 janar 2017 Beshiktash – Skënderbeu
15 janar 2017 Skënderbeu – Vitorul Konstanca
Korçarët mbërrijnë në Antalia, mbrëmë seanca e parë
Skënderbeu dje ashtu si edhe ishte parashikuar ka mbërritur në Antalia të Turqisë. Në orën 04:00 të mëngjesit të ditës së djeshme ishte edhe nisja, ndërkohë që pas mbërritjes në Stamboll më pas korçarët udhëtuan në drejtim të Antalias. Në orët e mesditës Skënderbeu është akomoduar në hotel “Titanik”, ndërkohë që sipas programit të stafit teknik lojtarët janë çlodhur për disa orë. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është zhvilluar edhe stërvitja e parë e bardhekuqve në Turqi, seancë që ka qenë me ngarkesë të plotë. Kjo ka qenë vetëm dita e parë e Skënderbeut në Turqi dhe nga lodhja e rrugës Daja kishte planifikuar vetëm një stërvitje, teksa sot ekipi do të ketë dy seanca, paradite dhe pasdite. Duhet thënë se Daja ka në dispozicion 23 lojtarë për momentin dhe duke shtuar edhe futbollistin 19-vjeçar nga Venezuela që mbërriti dje numri shkoi në 24. Skënderbeu ka gjetur në Antalia kushte vërtet të mira, teksa edhe temperaturat janë më shumë se të përshtatshme.