UEFA e përjashtoi një vit nga kupat e Europës, thjesht sepse mendonte se ishte njollosur kompeticioni i saj, por Skënderbeun e ndëshkoi edhe FSHF, që i hoqi titullin kampion 2015/16.
Federata, ose më saktë Komisioni i Etikës në FSHF, gjeti një zgjidhje të mesme, duke mos pasur mundësi tjetër, sepse realisht UEFA e akuzonte Skënderbeun për shumë ndeshje dhe si “armë” të vetën përdorte shifrat e mëdha luajtur në disa ndeshje në kupat e Europës, duke nisur nga ajo në Irlandën e Veriut, ndaj Krusejdërs.
Prej muajsh Partizani kërkon që titulli i sezonit 2015/16 t’i jepet në tavolinë, si ekipi i vendit të dytë në atë sezon, por para pak ditësh sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, zbuloi diçka të re: Skënderbeu e ka ankimuar në CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv) vendimin e Etikës në FSHF. Apelimi i Skënderbeut është bërë që më 4 gusht 2017.
Një lajm i bujshëm, që nuk ishte publikuar nga Skënderbeu apo nga FSHF-ja, ndërkohë që RTSH ka arritur të sigurojë edhe dokumentin e ardhur nga CAS, ku është pranuar animimi i Skënderbeut dhe është regjistruar çështja, që do të merret në shqyrtim në muajt e parë të vitit 2018, sepse radha e çështjeve në CAS është pa fund.