Skënderbeu shkon me moralin në qiell në Vlorë, ku synon përmbysjen e humbjes në vajtjen e gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Megjithatë, trajneri Ilir Daja nuk është i qetë, sepse ka disa probleme dhe i duhet të bëjë llogaritë pa një titullar të rëndësishëm.
Xhejms Adeniji, një sulmues mjaft i rëndësishëm në aspektin taktik, sepse luan si mesfushor i avancuar në krah, ka pësuar një tërheqje të gradës së parë dhe nuk do të jetë në Vlorë, ndërsa pritet të mungojë 7-10 ditë.
Gjithashtu, Bruno Dita do të mungojë për probleme fizike dhe do të jetë gati vetëm për sfidën e javës së ardhshme kundër Partizanit.
NJOFTIMI I KLUBIT – “Bruno Dita vijon rikuperimin pas tërheqjes së pësuar në Vlorë. Mesfushori prej sot do të nisë vrapimet dhe mendohet të jetë gati për takimin e javës së ardhshme në kampionat ndaj Partizanit. Xhejms Adeniji do të jetë mungesa e dytë për trajnerin Daja në prag të ndeshjes së kthimit ndaj Flamurtarit. Nigeriani zhvilloi sot një kontroll të detajuar mjekësor dhe rezultoi të ketë pësuar një tërheqje të gradës së parë, çka e detyron sulmuesin bardhekuq të qëndrojë 7 deri në 10 ditë jashtë grupit. Pjesa e tjetër e ekipit është shfaqur në gjendje optimale në prag të sfidës”.